MENU
klinika

Ali Podrimja dhe një ese

Vetëm nuri i dashurisë… mund ta shpëtojë njeriun nga apokalipsi

28.08.2020 - 15:48

      Poezinë e përcjell vetëm kur lëshon shtat mes zjarrit e fjalëve. Kemi të bëjmë me diçka që i afrohet filigranizmit deri në përsosje të tekstit kur hedh nga trupi fjalët e tepërta ose ndonjë figurë që mjegullon horizontin, pra kur krijuesi është i përqëndruar të artikulimi ekuivok. Të tmerrshme janë bredhjet e skribomanëve që humbin durimin dhe nuk dijnë ta gjejnë rrugën për tek e bukura.

Poetesha e njohur suedeze Linda Aberg thotë: ”Është vështirë të shkruash shkurt”. Poezia është diçka që lëviz dhe mban gjallë kujtesën. Krijuesi duhet të ketë kujdes në konceptin e asaj që e hedh si ide, mesazh, ndoshta dhe me evoluimin e vetë tekstit poetik.

Leximi i tekstit varet kryesisht nga qasja e recipientit: ç’dëshiron të potencojë nga mesazhet. Miku im Zija Çela mbështet se modernitetin e poezisë e mbajnë gjallë: eliptizmi dhe revolta ndaj shkarjeve shoqërore, njerëzore, nuk prajnë pra kërkimet që duhen parë ato si përpjekje për poezi të pastër dhe me vlera universale.

Përmbledhja e poezive “Ka gjithmonë diku” e Albana M.Lifschin ngërthen në vete sensibilitet të çuditshëm, të rrallë do të thoja. Kisha përpiluar edhe më parë ndonjë libër të krijueseve shqiptare, si dhe Antologjinë e poeteve ”Taket e larta ”, viti 2000, që më kishin mahnitur me artikulimin e mesazhet e tyre. Albana ka diçka që të nxit ta ndjekësh udhëtimin e saj imagjinativ. Tek e lexon poezinë e saj bindesh se kjo zonjë e letrave shqipe vë në funksjon njerëzoren, i rri anash vorbullës së asociacioneve trishtuese, ndërsa recipienti shpalos gjuhën e figurave, na shëtit deri të enigma ”në përkryerjen ritmike e kuptimore të tekstit poetik”, siç do të thoshte Ezra Pound.

Tek i bashkohemi udhëtimit të saj, në të vërtetë hulumtojmë vlerat kulminante në librin e përmendur me titull domëthënës “Ka gjithmone diku”, që nuk janë të pakta. Disi na kujtohet John Ashbery dhe vargu i tij ”Thjesht të jetuarit nuk mjafton”. Trokasim në botën e sekreteve, të intensitetit të ndjenjës së dashurisë, megjithëse” ndjeshmëria, siç shkruan ELIOTi ndryshon nga një brez në tjetrin, duam apo s’duam ne…”

Temat e mëdha si vdekja e identiteti i rrezikuar pranohen shpesh si poezi dokument. I këtij mendimi është edhe kritiku e poeti polak Leszek Szaruga. Tek kaloja kufirin vdekjeprurës mes Bllacës e Dardanisë nën ushtimën e plumbave të padukshëm kisha vërejtur imazhin e antikitetit: një nënë e re e tmerruar vraponte drejt turmës së pafundmë 1999, tërhiqte një fëmijë përdore ndërsa tjetrit ia afronte gjirin, por fëmija fatkeqësisht ishte i vdekur. Kuja e saj kishte ngritur në këmbë një botë të tërë të ekzodit. Më vonë e shkrova poezinë që ishte: dëshmi e hidhur e tragjedisë së ndodhur në fund të shekullit XX.

Albana M.Lifshin është ndër të paktat krijuese shqiptare që poezinë nuk e ngarkon me fjalë e me sekuenca trishtimi, u rri anash tërmeteve shpirtërore dhe mbështet se ” gjërat duhen thënë bukur e me dinjitet, qoftë edhe përmes një skice apo poezie erotike se jeta njerëzore është kompleks ndjenjash e fatesh; aty asgjë nuk është tabu as privilegj për njerën anë të duetit.” Mund të elaborohen në detaje edhe gjërat më intime të qenies njerëzore, se arti kërkon të pamundshmen.

Madhështinë si krijuese dhe njeri, Albana arriti ta thotë përmes shumë poezive të saj vërtetë antologjike. Me këtë rast dua të kujtojmë vargjet brilante te “Shkalla e poezisë”, por kjo nuk është e vetmja në këtë përmbledhje. Po ashtu titulli i librit nxit të mendosh se ç’është ajo që gjithmonë gjendet diku. Mbetet kjo enigmë edhe për recipijentin.

Në pyetje është kujtesa, se drama njerëzore u reprizua shpesh në Gadishullin Ilirik dhe atë e paguam shtrenjtë… Poeteshën e ndjek kjo frikë qoftë përmes njerëzve të saj, që i njeh apo të atyre që u bënë dhe atdheu. Nuk pranon të ngris dorë nga himnizimi i dashurisë, se dashuria është diçka hyjnore. Është e bindur se vetëm nuri i saj mund ta shpëtoj njeriun nga apokalipsi. Përmbledhja e poezive të Albanës shënon triumfin e shpirtit mbi zymtësinë që kishte pushtuar hapësirën e gjallimit tonë.

Ulpianë, 2010

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt