Kërkimet nënujore të arkeologëve kanë mbledhur të dhëna të reja, mbi tregtinë dhe jetën në bregun e liqenit të Ohrit, gjatë periudhës së mesjetës.
Nga Gëzim Kabashi
Disa qindra vjet më parë, peshkatarët dhe tregtarët e mallrave me anije në liqenin e Ohrit, kanë patur stacionet e bregut, ku edhe mbroheshin nga moti i keq dhe ujërat e trazuara.
Arkeologu nënujor Adrian Anastasi, shpjegon se zbulimet arkeologjike të kësaj vere kanë ofruar të dhëna të reja, lidhur me tre vendqëndrime të barkave që shfrytëzonin rrugët ujore për transport dhe peshkim gjatë periudhës mesjetare, nga shek 11-të – 15-të. Ato ndodhen pranë Tushemishtit dhe besimet e banorëve – që duket, se shkojnë deri në periudhën pagane, si dhe potenciali i ri arkeologjik e qartësojnë edhe më mirë, historinë mesjetare të zonës.
“Ne zbuluam nën ujë, tri hapësira me objekte arkeologjike, rreth 70 metra larg njëra-tjetrës, pikërisht pranë vijës bregliqenore,”- tha dr. Adriani.
Specialistët arkeologë po dokumentojnë dhe shqyrtojnë materialet e zbuluara, kryesisht qeramikë e periudhës mesjetare, por edhe ndonjë element që i përket prehistorisë dhe që ka ndryshuar vendndodhje, si pasojë e lëvizjeve gjeologjike në tabanin e liqenit.
Gent Olldashi, përgjegjës i ekipit të zhytësve në liqen, thotë se pranë bregut ndodhet një kapelë, kishëzë e hershme që i blatohet Shën Naumit, ndërsa në pasqyrën e ujit buronë nga bregu, ujë i pijshëm, që ka lidhje edhe me liqenin e Prespës.
Një gadishull i vogël në formën e hundës, i mbronte peshkatarët dhe transportuesit e dikurshëm, nga era e fortë e juglindjes, si dhe nga dallgët e papritura që ngrihen herë pas here në liqen.
“Kjo ishte arsyeja që edhe barkat me vela të transportit, nga Pogradeci në Tushemisht, Shën Naum, apo Strugë dhe Ohër, mund të mbroheshin këtu gjatë kohës së stuhisë, duke e emërtuar këtë hapësirë në tokë dhe në ujë, si një “vend i mirë”, njëlloj siç njihet edhe sot nga banorët.
Pasuri e mbrojtur nga UNESCO
Një vit më parë, pjesa shqiptare e bregut të liqenit u shpall pasuri në UNESCO, falë zbulimeve arkeologjike që i përkasin 10-vjeçarit të fundit.
Gjetjet e javëve të kaluara, kanë rritur potencialin historik dhe turistik të zonës, nga Lini deri në Tushemisht, nënvizojnë specialistët.
Dr. Adrian Anastasi, punonjës pranë Institutit të Arkeologjisë, tha se zbulimet e deritanishme në liqenin e Ohrit, kanë nxjerrë në dritë edhe tre vendbanime të mëdha prehistorike, me moshë deri 6000-vjeçare. Dy prej tyre, i përkasin periudhës neolitike dhe një tjetër, periudhës së bronzit.
Prej 8-9 vitesh, Anastasi me një ekip studentësh dhe teknikësh të fushës, po punojnë për të dokumentuar dhe marrë materialin e nevojshëm arkeologjik, që bën të mundur studimin dhe përfundimet shkencore të këtyre gjetjeve me shumë rëndësi.
Dy nga stacionet prehistorike të zbuluara vitet e kaluara, ndodhen pranë fshatit Lin, një tjetër pranë fshatit Hudënisht.
“Objektet e zbuluara, përfshirë edhe palafitet, do t’i nënshtrohen analizave të “karbonit-14”, për të përcaktuar moshën e saktë të vendbanimeve, që kanë karakteristika të veçanta,” – thotë Adrian Anastasi.
Në stacionin e emërtuar “Lin 3”, qendra e banuar zhvillohet pjesërisht në tokë, si dhe nën ujë.
Skelat mesjetare
Në brigjet e qytetit të Pogradecit, si dhe në fshatin Lin, dallohen në një thellësi të vogël, hunjtë prej druri, që dëshmonin për skela anijesh të vogla të periudhës mesjetare.
“Në të gjithë gjatësinë e bregut të liqenit, tashmë janë zbuluar tre vendbanime të hershme të periudhës prehistorike, si dhe tre të tjera që i përkasin mesjetës,” – thekson dr. Adrian Anastasi, i cili drejton projektin “Harta arkeologjike nënujore e bregdetit shqiptar”, ku përfshihen edhe liqenet e lagunat e të gjithë vendit.
Arkeologu nënujor vlerëson se, mes kulturave të Maliqit dhe atyre të sapozbuluara në liqenin e Pogradecit dhe Prespës, ka një lidhje të ngushtë.
“Unë besoj, se banorët e lashtë në këto zona, shkëmbenin mallrat dhe kulturën e kohës, duke shfrytëzuar kalimin në dy qafa të njohura, ajo e Plloçës dhe ajo e Zvezdës,” – shpjegoi ai.
Që prej vitit 2002, kur iu bashkua arkeologut nënujor, zhytësi Gent Olldashi ka filluar të njohë edhe dimensionin tjetër të liqenit; atraksionet historike dhe turistike.
“Tani e kuptoj, se çfarë pasurie i shtohet qytetit tim,” – thotë Genti, që mendon se ndonjë nga vendbanimet prehistorike apo mesjetare mund të kthehet në pikë të vizitueshme turistike.
Sipas tij, në këtë intenerar nënujor duhet të përfshihet edhe një avion i tipit “Spitfire”, që ndodhet i mbytur në 6-7 metra thellësi ujore, shumë pranë qytetit.
“Duhet edhe më tepër bashkëpunim nga organet e pushtetit vendor, për t’i kthyer ato, në elemente turistike,” – shton 45-vjeçari, i cili kujdeset gjatë gjithë vitit, që objektet arkeologjike nën ujë, të mos dëmtohen nga keqbërësit.
Dr. Adriani thotë, se materialet arkeologjike, më parë duhet t’i nënshtrohen një procesi serioz studimi, konservimi, si dhe të plotësohen të gjitha kriteret e mbrojtjes së siteve arkeologjike.
“Një muze prehistorik, mund të ndërtohet vetëm nëse ai pasqyron sintezën e studimeve të vendbanimit prehistorik përkatës dhe jo fantazi.” – thekson Anastasi.
Sipas tij, mbrojtja nga UNESCO, do t’i shërbejë edhe tërheqjes së fondeve për kërkime shkencore dhe për laboratore. Po ashtu, restaurimi dhe muzealizimi i objekteve dhe banesave palafite, tashmë të zbuluara nën ujë, duhet të ketë të njëjtat standarde.
“Turistët, në të ardhmen do të vizitojnë site, të cilat, i përkasin trashëgimisë kulturore botërore, pjesë në UNESCO,” – tha Anastasi. “Shqipëria do të jetë realisht frytdhënëse, në botë, me kulturën e zbulimeve arkeologjike nënujore,” – përfundoi ai.