MENU
klinika

AWLIFF - i vetmi në Ballkan

Dhe pse në pandemi, Kosova vjen me një festival të ri filmi

18.09.2020 - 14:50

       “Art Without Limit International Film Festival” është festivali më i ri i filmit në Kosovë, që do të mbahet prej 28 deri më 30 shtator, në Prishtinë. AWLIFF është i vetmi festival në Ballkan, ku të gjithë filmat që janë në program për t’u shfaqur, kanë si temë personat me nevoja të veçanta!

Festivali është organizuar nga një grup grash dhe NGO “Art Without Limit”,  me drejtore ekzekutive Ganimete Sava, ndërsa drejtor artistik është regjisori Burim Haliti dhe drejtor i programit, Michael Stoeger, raportojnë mediet në Kosovë.

Mbështetjen më të madhe për festivalin e ka dhënë producenti i njohur austriak Veit Heiduschka, i cili do të jetë president i jurisë profesionale për festivalin.

Heiduschka, si producent ka fituar çmim “Oscar” me filmin “Amour”, së bashku me regjisorin e famshëm, Michael Haneke. Gjithashtu, ka fituar çmimin “Palma e artë” në Kanë dhe atë “Bafta”!

Festivali AWLIFF, po ashtu, ka gjetur mbështetje të gjerë nga të gjitha organizatat që përfaqësojnë personat me nevoja të veҫanta në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni!

Mbi 500 filma nga 70 vende të botës, kanë aplikuar për të qenë pjesë e programit të festivalit, ndërsa janë përzgjedhur 40 prej tyre, për t’u shfaqur në edicionin e parë në këtë festival.

Festivali ishte paraparë të mbahet në Kino Armata në Prishtinë, por për shkak të pandemisë, këtë vit do të mbahet online.

Organizatorët bëjnë të ditur, se do të ndahen 8 çmime, nga juria profesionale: “Golden” dhe “Silver” për filmin më të mirë të shkurtër (fiction), “Golden” dhe “Silver”, për filmin më të mirë të shkurtër (dokumentar), “Golden” dhe “Silver”, për filmin më të mirë të shkurtër (animacion), projekti më i mirë i portretizuar (dokumentar), projekti më i mirë që fuqizon gruan.

Përpos Veit Heiduschka, në juri është edhe Monika Hass nga Gjermania, drejtore e “Filmstadt München” e V. Munich të Gjermanisë, Sadija Kleponga nga Bosnja e Hercegovina, drejtore e festivalit “Ballkan tage” në Munich, Gjermani, Jerzy Palacz, drejtor i fotografisë nga Polonia, Daniel Edmondson nga ShBA, aktivist, shkrimtar dhe person me nevoja të veçanta fizike, aktorja Safete Rogova nga Kosova, regjisori Arturo Mariani dhe Shpend Bengu,  regjisor nga Shqipëria.

Programi dhe koha e saktë e mbajtjes së festivalit është publikuar në web faqen zyrtare të festivalit: www.artwithoutlimitfilmfestival.com dhe në faqen zyrtare në FB!

Filmat, do të jenë të hapur për publikun, prej 28 shtatorit 2020!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pret nominimin për “Oscar”

“Gardhi” nga Kosova triumfon në SHBA