MENU
klinika

Mbrojtësi shqiptar zgjedh numrin

Roma e prezanton, Kumbulla fjalë zemre për Veronën

17.09.2020 - 16:04

Marash Kumbulla ka nisur aventurën me Romën, teksa mund të jetë i gatshëm për të zbritur në fushë prej kësaj fundjave ku përballë do të ketë pikërisht ish-skuadrën e tij, Verona. Sakaq, mbrojtësi i kombëtares ka zgjedhur edhe numrin e fanellës që do të mbajë te kryeqytetasit.

Do të jetë numri 24 ai që do të shoqërojë 20-vjeçarin në pesë vitet e ardhshme. Ndërkohë, numri 24 është një numër aspak i zakonshëm për tifozët e Romës duke qenë se deri para këtij sezoni ai mbahej nga ana e Alesandro Florenzit.

Ky i fundit tashmë ka kaluar te PSG në Francë, mirëpo është rritur te klubi verdhekuq, madje ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ndaj, lidhja e tij me tifozët ishte shumë e ngushtë, ndërsa tashmë një rrugëtim të ngjashëm do të kërkojë të ndjekë edhe Kumbulla, që nuk harron Verona-n dhe e përshëndet me këto fjalë:

“Të dashur veronezë, unë u bashkova me këtë klub kur isha vetëm 8 vjeç, i shoqëruar nga babai im. Kam kaluar 12 vjet në këtë shtëpi, më shumë se gjysmën e jetës sime. Në shtëpinë tuaj ju gjithmonë jetoni momentet më të mira dhe në këtë familje kam ndarë gëzimet, lotët dhe ëndrrat e një fëmije.

Unë kam ngulitur brenda meje çdo moment të kësaj jete të jetuar së bashku. Tani ka ardhur koha për të realizuar një nga këto ëndrra të mëdha, hapin më të rëndësishëm të karrierës time deri më sot, dhe unë e bëj atë edhe falë jush dhe këtij klubi fantastik që gjithmonë më ka mbështetur në gjithçka. Faleminderit të gjithëve dhe shpresoj t’ju bëj gjithmonë krenarë për mua. Marash!”

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN