MENU
klinika

Poeti i Popullit

Dritëroi e dëgjonte këngën e tokës së tij!

13.10.2020 - 11:00

      Ylli i DRITËROIT ndriçoi si sot, më 1931! Lindi POETI i vargjeve për tokën e njeriun, dashurinë dhe dhimbjen, krenarinë apo nderin… Atdheun, burimin, fushën e malin, erën me gjethet e verdha vjeshtarake… Poeti i Popullit!

Poezia “Me prit se po vij shpejt”, nga Dritëro Agolli dhe versioni im në anglisht, për pasionantët pas poezisë dhe përkthimit..! /Konica.al

Dritëro Agolli

Më prit se po vij shpejt!
Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.
Atje dyshek e shtrat nuk dua
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.
Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim,
Dhe kur të vijë andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim .
As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog, as profesor,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor.
Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi,
Me mors të japë telegram.
Të presë plot trishtim fshatari
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.
Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim,
Mbi trupin tim e turbulluar
Si lëmsh të sillet me tërbim.
Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan,
Të thotë:mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!
Dhe, ju betohem , po s’u ngrita
i madh, i bukur, plot shëndet,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!..

*****
Dritero Agolli –
Wait up, I’m coming quickly!”
If a disease would affect me,
Need no hospital or daycare,
In secret take me peacefully,
To the mountains somewhere.
With no mattress and no bed
Neither sheets nor quilt in shack,
By the source or spring instead
Lay some oaks and the lilac.
Tie my head with a clematis,
Let my lips in spring get wet,
Butterfly come with no hiss
Let her rest on my forehead.
Need no nurse to sit by me,
Neurologist or a professor,
Wish a ram beside to be,
A he-goat closer and closer.
Let the ram then lick my cheek,
Let the spotty goat implode,
Skewbald bird to low its beak,
Draft a telegram in morse code.
Let the peasant wait in mope
Bored to lean on a stick low,
Chewing leaves of grass on slope,
Picking up the bluish sloe.
From the hollow of the oak tree
Let the bees fly out in swarm,
On my body in bleary
Like a ball that twirls in storm.
And the traveler to stop by,
Silently smoking a cigar,
To say; “you no longer lie,
Road for you weeps, avatar!”
And I swear to all of you,
I will raise great, cool an’ healthy,
To the road, I started through
Say: “wait up, I’m coming quickly!”

*****
Translation from Albanian into English
By Alfred Kola
Korçë, October 13, 2020

***

Dritëro Agolli u lind në Menkulas të Devollit, më 13 tetor të vitit 1936. Mësimet e para i mori në vendlindje. Pas mbarimit të studimeve të mesme në gjimnazin Asim Zeneli, kreu Universitetin “Sant-Petersburg”, ku u diplomua për gazetari, duke mbrojtur diplomën me një tezë shkencore për Migjenin dhe vendin e tij në letërsinë shqipe. Pas kthimit në atdhe, filloi punën si gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, duke u njohur si një prej reporterëve më të shquar të saj. Nga viti 1974 deri në vitin 1992, ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. I zgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për pesë legjislatura radhazi, Dritëro Agolli shenjohet si një rast i rrallë në historinë politike të përfaqësimit politik në gjysmën e dytë të shekullit XX e në vijim.

Dritëro Agolli është figurë qendrore e poezisë shqipe qysh prej mesit të shekullit të kaluar. Një prej përfaqësuesve më të rëndësishëm të brezit të viteve 1960; kritik ndaj frymës tradicionaliste të poezisë së re të pasluftës, ai hyri në letërsi me kërkesën për ndryshimin e së ardhmes së saj. Artikulli i tij “Traditë, natyrisht, por jo shtampë”, shenjohet edhe sot si një prej referencave të debateve midis tradicionalistëve dhe reformatorëve të poetikave letrare të asaj periudhe. Dritëro Agolli dhe breznia e tij letrare, zgjidhën krizën më të madhe të poezisë shqipe, qysh prej Rilindjes. Me veprën e tij poetike, ai çmontoi klishetë e vjetra të vjershërimit shqip.

Me Dritëro Agolli, në letërsinë shqipe hyri një prirje e fortë për unin poetik, megjithëse shoqëria shqiptare në atë periudhë historike jetonte në një mendësi kolektiviste detyruese. Prirja për unin poetik u duk qysh në vëllimin e parë të tij, “Në rrugë dolla”, por u shpreh më qartë në poemat “Devoll-Devoll” dhe “Poemë për babanë dhe për veten”. Në këtë poezi, gjeti veten bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe intelektuali. Ai ruajti prej vlerave më të arrira të poezisë së traditës, frymën popullore dhe krijoi një gjedhe të re vjershërimi, që, ndërsa në frymë ndiqte Naimin, në poetikë kishte tiparet e pararojës.

Rruga e rritjes së tij poetike shprehet në librat: “Hapat e mija në asfalt”, “Shtigje malesh dhe trotuare”, “Devoll-Devoll”, “Mesditë”, “Baballarët”, “Nënë Shqipëri”, “Fjala gdhend gurin”, “Udhëtoj i menduar”, “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Këngët e buzëqeshjes”, “Fletorka e mesnatës”, “Kambana e largët”, “Gdhihet e ngryset”, “Prit edhe pak”. Dritëro Agolli shfaqi në poezi një përfytyrim vetjak, duke kërkuar madhështi poetike prej përjetimeve të njeriut të zakonshëm. Ai krijoi poezi me motivet metazike të dhimbjes, trishtimit, humbjes, zhgënjimit, vdekjes.

Dritëro Agolli e zhvendosi poezinë shqipe pej shqetësimit të shtetit tek shqetësimi i qytetarit. Poezia e tij përshkohet nga kulti i vendlindjes, i tokës, i bukës, i parmendës, i familjes, i prindit, babait. Ajo sundohet nga bota e gjallë, shpirtëzimi i mjedisit, shenjtërimi i natyrës, i arës dhe bagëtisë. Edhe në këtë tipar të poezisë së tij, shfaqen gjurmë të botëkuptimit panteist naimian.

Për dallim nga shumica e poetëve të tjerë shqiptarë, të vjetër e të rinj, tek të cilët në qendër të poezisë lirike është e dashura,  Agolli është poeti që ka shkruar më shumë poezi për gruan, në gjithë historinë e letërsisë shqipe.

Dritëro Agolli krijoi në poezi imazhin e një Shqipërie ideale. Vepra më e rëndësishme idealizuese dhe njëherësh më e angazhuar e tij është poema Nënë Shqipëri. Ashtu sikurse Naimi, që e dinte shumë mirë se cila ishte Shqipëria, por në poemën e tij “Bagëti e bujqësi” e rikrijoi duke e veshur me bukuri imagjinare, ashtu Dritëro Agolli krijoi një Shqipëri poetike, si në ëndërrimet e veta. Në këtë poemë zotëron lartësimi i atdheut, miti i origjinës dhe evokimi i krenarisë kombëtare. “Nënë Shqipëri” u shkrua si një “Bagëti e bujqësi” e kohëve moderne. Me poemën “Nënë Shqipëri” Dritëro Agolli u shfaq si poet që dëshironte të ndërtonte një Shqipëri të lumtur. Ai bashkoi vlerat më të bukura të letërsisë tradicionale me nevojat e poezisë shqipe për modernizim në mjeshtëri. Dritëro Agolli është poeti i dhimbjes njerëzore.

Poezia e Dritëro Agolli njohu një ringjallje poetike në tri dekadat e fundme. Me vëllimet poetikë “Pelegrini i vonuar”, “Lypësi i kohës”, “Fletorka e mesnatës”, “Këmbana e largët”, “Gdhihet e ngryset”, “Prit edhe pak”, autori shpalli sfidën e tij të re të mjeshtërisë krijuese në kohën e lirisë. Në këto vëllime shpërfaqet poeti me ideal të tronditur, që duhet të gjejë vlerën dhe kuptimin e jetës së vet dhe të brezit që përfaqëson në kushtet e tronditjeve të mëdha të shoqërisë dhe të ndryshimeve rrënjësore të rrugës drejt së ardhmes së saj. Në tërësinë e vet poezia e Dritëro Agollit, nuk ka përthyerje që lidhen me këto ndryshime. Ajo është poezi e vlerave dhe shqetësimeve njerëzore, poezi e krenarisë dhe dramës, e lartësimit dhe goditjes, e nyjëtimit të gjendjeve poetike të imëta dhe fine. Dritëro Agolli përballoi me një fuqi të admirueshme karakteri dhe me dinjitet madhështor, sfidën për t’i dhënë vlerën e merituar lirisë.

Vepra më e hershme në prozë e Dritëro Agollit është vëllimi me tregime “Zhurma e erërave të dikurshme”. Në vitin 1965, kjo vepër u kritika ashpër nga zyrat e larta ku diskutohej për letërsinë dhe artet dhe u hoq nga qarkullimi për nxirje të realitetit. Këto tregime janë të mbushur me personazhe jotipikë, me karaktere e pamje të paskalitura, gjë që përbënte shmangie nga kërkesa për heroin pozitiv tipik. Në këto tregime heronjtë paraqiten bashkë me cenet e tyre, ata janë njerëz të krisur.

Romani “Komisari Memo” është cilësuar vepra më e angazhuar ideologjikisht e Dritëro Agollit në prozë. Në këtë vepër, autori poetizoi kohën e komisarëve, që ishte pjesë e kultit të luftës antifashiste, temë që sundoi për shumë kohë letërsinë shqipe. Me këtë roman, shkrimtari tentoi të ndërlidhë patriotizmin e dy kohërave.

Në romanin “Njeriu me top”, Dritëro Agolli zbuloi një marrëdhënie tjetër, të ndryshme nga ajo e “Gjeneralit të ushtrisë së vdekur”, sa i takon raportit të njeriut shqiptar me armën. Zot e rob i armës, i magjepsur dhe i marrosur prej saj, personazhi qendror i librit bën çudira e marrëzira nga më të pabesueshmet. Ndonëse romani merr një temë nga lufta, nyja dramatike e tij qendron në faktin universal se morali i një brezi ka ardhur në kundërshtim me atë të brezit të mëparshëm. Nuk është shthurur bota, por një rend moral, dhe kjo ndodh në kushtet kur lufta antifashiste dhe ideologjia komuniste shihen si dy anë të së njëjtës nyje. Thirrja e plakut Mere: “Dynjaja u prish! O hak i madh, ç’pret!” – dëshpërimi i një njeriu që nuk ka më fuqi të mbajë rendin e mëparshëm, të sjell ndërmend dilemën e mirënjohur të Hamletit: Kjo botë u shthur, o prapësi, o dreq!

Kontributi më i rëndësishëm letrar në prozë i Dritëro Agollit, konsiderohet Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari në vijë, romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së pandashme të vartësit të tij. Produkt i njëri-tjetrit, dy personazhet kryesorë, Zyloja dhe Demka, sikurse ndodh pothuajse në të gjitha veprat me karakter humoristik, janë pasqyrë e anës qesharake dhe njëherësh dramatike të funksionimit të burokratizmit. Veprimet e Zylos përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike. Zyloja është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën. Ndryshe nga shumë burokratë të tjerë skematikë që kishin përmbytur jo vetëm letërsinë shqipe, por edhe publicistikën, Zyloja është një burokrat me dramë. Në thelbin e kësaj vepre qendron antiskematizmi. Dritëro Agolli nisi ta shkruajë Arkën e djallit në fillim të viteve 1980, për ta përfunduar në fillim të viteve 1990. Në jetën shqiptare kishte hyrë ndërkaq një kuptim tjetër i lirisë. Romani e përballoi horizontin e ri të pritjes.

“Arka e djallit” është një vepër e shkruar me shkujdesje ndaj disiplinës. Ajo është dëshmi për faktin se personalitetet e fuqishëm të letërsisë shqipe kanë qenë më të lirë se metoda e tyre krijuese. Në romanin “Arka e djallit”, lexuesi gjen disa shkallë të lirisë. Shkalla e parë e lirisë është ajo e vetë shkrimtarit. Djalli që duhet të zbulojë shkrimtari është romani “Shakaja e ndaluar” ose “Njeriu që e ndaluan të qeshë”, vepër e një shkrimtari të dënuar. Dritëro Agolli, duke vendosur në qendër të romanit të tij kërkimin e një tabuje, duke kërkuar të ndaluarën, shfaqet me një përmasë mendimi që gjendet shumë mbi lirinë e kohës. Një shkallë tjetër e lirisë krijuese gjendet në shthurjen e Cute Babules, një personazh që gjithashtu, shumë herë bëhet bartës i mendimeve të autorit, sidomos në filozofinë e tij për jetën, për njeriun dhe botën, për atdheun dhe planetin, për historinë dhe të sotmen, për popullin e qeveritë, për madhështoren e të përditshmen. Shkrimtari arrin një shkallë edhe më të lartë lirie me romanin brenda romanit, me arkën e djallit, ku gjendet vepra e ndaluar. Ajo quhet Shakaja e ndaluar, titull që të kujton romanin e njohur disident të Milan Kunderës “Shakaja”. Në këtë shkallë të lirisë krijuese, Dritëro Agolli realizon një vepër ku nuk ka censurë dhe autocensurë.

Disa prej veprave më të arrira të Dritëro Agollit, kanë qenë nën vëmendjen ideologjike të autoriteteve zyrtare. Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, që botohej pjesë-pjesë në revistën “Hosteni”, u ndërpre në mënyrë të heshtur. Për kundravajtje ideologjike u qortuan edhe dramat “Mosha e bardhë”, “Baladë për një grua” dhe “Fytyra e dytë”. Drama “Baladë për një grua”, u ndalua dy herë dhe dorëshkrimi i saj u zhduk.

Dritëro Agolli është laureat i disa çmimeve letrare kombëtare. Ai mban titullin “Nderi i Kombit”. Një pjesë e madhe e veprave të tij, janë botuar në shumë gjuhë të huaja: frëngjisht, italisht, gjermanisht, anglisht, greqisht, bullgarisht, rusisht, turqisht dhe në gjuhë të tjera. Vepra e Agollit zë vend qendror në historinë e letërsisë shqipe, si pikëmbështetje themelore për ekuilibret e brendshme të saj. Letërsia e Dritëro Agollit ka krijuar kohë dhe kjo kohë, nuk do të harrohet. Ai ishte dhe do të mbetet, protagonist parësor i zhvillimeve më të përparuara të fjalës shqipe, gjuhës shqipe, letërsisë dhe kulturës shqiptare, mendimit kombëtar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli, poeti i tokës, njeriut dhe... vdekjes.

“Ç’t’i bësh! S’më rrihet pa shkrepur një varg”

Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit