MENU
klinika

Rreziqet

Keni sëmundje zemre? Kujdes nga operacionet e tjera

16.10.2020 - 11:44

Pacientët e zemrës mund të përballen me një shans më të madh për komplikime kardiovaskulare pasi kanë kryer një operacion tjetër që nuk përfshin zemrën, sugjeron studimi i ri.

Njëzet përqind e këtyre pacientëve përjetuan probleme me zemrën brenda një viti nga një operacion i tillë, zbuluan studiuesit.

“Studimi ynë zbulon një gjasë më të madhe për të pasur probleme të zemrës ose për të vdekur pas operacionit jokardiak sesa është njohur deri më tani,” tha autori i studimit Dr. Christian Puelacher, nga Universiteti i Bazelit në Zvicër. “Pacientët janë gjithashtu në rrezik për një periudhë më të gjatë nga sa mendohej.”

Studimi përfshiu njerëz të moshës 65 deri 85 vjeç dhe ata të moshës 45 deri 64 vjeç me sëmundje të zemrës. Të gjithë pacientët kishin një operacion jokardiak – të organeve të brendshme, ortopedike, trauma, vaskulare, urologjike, kurrizore dhe torakale – që u kërkoi atyre të qëndronin në spital për të paktën një natë.

Pas operacionit, 2,265 pacientë u ndoqën për një vit për sulme në zemër, dështim të zemrës, çrregullime të ritmit të zemrës dhe vdekje për shkak të sëmundjes së zemrës. Testet e gjakut për troponin – një proteinë që ngrihet në gjak kur dëmtohet muskuli i zemrës – u përdorën për të kontrolluar sulmet asimptomatike të zemrës.

Rreth një në shtatë pacientë (15%) kishin të paktën një ndërlikim në zemër brenda 30 ditësh. Incidenca 30-ditore e ndërlikimeve në zemër ishte më e larta në pacientët të cilët kishin ndërhyrje kirurgjikale në kraharor (22%), e ndjekur nga kirurgjia vaskulare (21%) dhe operacioni i traumës (19%). Një në pesë pacientë (21%) kishin të paktën një ndërlikim në zemër brenda një viti.

“Ky ishte një nga studimet e para për të monitoruar pacientët për sulme asimptomatike të zemrës pas operacionit,” vuri në dukje Puelacher në një njoftim për shtyp të një reviste.

zemra
zemra

“Këta pacientë ishin në rrezik më të madh të ngjarjeve pasuese. Një e treta e pacientëve që kishin një sulm asimptomatik të zemrës vazhduan të kishin të paktën një ndërlikim të zemrës, krahasuar me vetëm 10% të atyre që nuk kishin një sulm asimptomatik të zemrës,” tha ai.

“Studimi ynë sugjeron që matja e niveleve të troponinës para operacionit dhe për dy ditë më pas mund të identifikojë këta pacientë dhe të sigurojë një mundësi për të parandaluar ndërlikimet e mëtejshme dhe vdekjen,” shtoi Puelacher.

Studiuesit nuk hetuan se çfarë mund të bëjnë pacientët për të përmirësuar rezultatet e tyre.

“Kirurgjia  është më shumë një proces sesa një zgjidhje e shpejtë. Mos e shtyni operacionin tuaj, por nëse ka kohë dhe doni të përgatiteni, lini pirjen e duhanit, jini fizikisht aktiv dhe ushqehuni shëndetshëm, në mënyrë që trupi juaj të jetë në formë më të mirë,” tha Puelacher.

Gjetjet u botuan më 15 tetor në Revistën Evropiane të Zemrës – Kujdesi Akut Kardiovaskular.