MENU
klinika

Bekim Haxhiu sugjeron Kuvendin e Shqipërisë

Ligji i sponsorizimit, deputeti kosovar: Merrni tonin, është gati!

06.10.2020 - 16:05

Liga Profesioniste e Futbollit në Shqipëri i është referuar në disa raste Kosovës si shembull për ligjin e sponsorizimit. Deputeti Bekim Haxhiu, një nga iniciatorët e kësaj nisme në Kosovë, tregoi për Tv Klan se ligji ka sjellë efekte të prekshme në përmirësimin e gjendjes financiare të skuadrave dhe në cilësinë e futbollit.

Ligji i kosovës për sponsorizimin në sport është ofruar si shembull nga komuniteti i futbollit për Qeverinë dhe Kuvendin Shqiptar. Në shtetin fqinj 30% të tatim fitimit total të të gjithë vendit, mund të investohet në sport. Por si u arrit ky përfundim. Bekim Haxhiu, është një prej deputetëve që morën nismën për ndërtimin e këtij ligji.

“30% ka qenë pas një konsultimi të gjerë me komunitetin e sportit, nevojën që të rriten investimet në sport. Që të mos jetë mënyra e mbështetjes dhe investimit në sport, siç ka qenë në komunizëm, dhe tani duhet përmes ligjeve ta favorizojmë. Të ardhurat nga sponsorizimi janë të patatueshme. Të ardhurat nga reklamat janë të tatueshme.

Deputetit Haxhiu, e thotë me krenari se ky ligj solli efekte të dukshme në sportin në vend: “Ka një rritje të cilësisë në sport, investime dhe mbështetje në sport, kompani të fuqishme kanë ndikuar. 25 – 30 milionë euro që jepte shteti vetë, tashmë është e drejtë e kompanive cilat klube do mbështesin.”

Sipas Bekim Haxhiut, nëse është vullneti politik për miratimin e këtij ligji, Kuvendi i Shqipërisë e ka pjesën më të madhe të punës gati: “Ne kemi marrë shembuj të mirë nga Gjermania dhe Shqipëria, besoj se tani Shqipëria duhet ta marrë shembull Kosovën që të ketë mbështetje më të fuqishme për sportin. Ligji jonë është i mirë, nuk kanë nevojë as ta përkthejnë e kanë të gatshëm.”

Ligji i sponsorizimit është kërkesa kryesore e komunitetit të futbollit nga 4 që i janë dërguar qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë. Një ditë më parë, në një reagim të përbashkët, organizmat më të lartë të futbollit FIFA dhe UEFA mbështetën nismën e Federatës së Futbollit për ndryshimet ligjore ekonomike dhe fiskale.

Të dy organizmat inkurajuan qeverinë shqiptare dhe FSHF-në që të gjejnë zgjidhje të arsyeshme dhe të përshtatur për kërkesat e klubeve shqiptare të futbollit në mënyrë që sezoni të fillojë sa më parë. Letra e vjen në një moment kur futbolli në vend duket në udhëkryq, pasi klubet janë në bojkot prej disa javësh.