MENU
klinika

Champions League

Real mposht Inter, Bayern rekordesh, Atalanta surprizë

25.11.2020 - 23:00

Kanë përfunduar ndeshjet e katërta në grupe të Champions League. Real Madrid nuk ka falur sërish Inter, Bayern Munchen vijon me fitoret dhe rekordet, ndërsa surpriza e mbrëmjes ishte fitorja e Atalantës në Liverpool.

GRUPI A – Bayern Munchen fiton 3-1 ndaj Salzburg, duke e cuar në 15 fitore radhazi ecurinë në Champions League, një rekord më vete. Lewandowski shënoi në fundin e pjesës së parë. Në të dytën pati një autogol dhe Sane, para se Roca të ndëshkohej me të kuq. Salzburg realizoi golin e nderi me shqiptarin Mërgim Berisha.

Në ndeshjen tjetër, Atletico Madrid ka vuajtur shumë ndaj Lokomotiv Moscow në barazim 0-0. Të besuarit e Simeones mbajnë vendin e dytë, por rrezikojnë atë në dy ndeshjet e fundit.

GRUPI B – Pas fitores së gjermanëve të Gladbach, vëmendja kryesore ishte te Inter-Real Madrid. Spanjollët fitojnë 0-2, me nga një gol në secilën pjesë. Hazard shënoi me penallti në 7’, ndërsa situata u komplikua për zikaltrit në 33’ kur Vidal ndëshkohet me karton të kuq.

Në pjesën e dytë, Hakimi në 59’ shënon në portën e tij. Më pas ka pak histori, Inter nuk është në gjendje të shënojë, ndërsa të besuarit e Zinedine Zidane marrin vendin e dytë në grup dhe shohin për më tej.

GRUPI C – Manchester City siguroi më parë kualifikimin dhe duket se gjithcka është zgjidhur në këtë grup pas fitores së Portos në Marseille me rezultatin 0-2.

Portugezët shënuan nga një gol për secilën pjesë loje. Sanuzi në 39’ shënoi golin e parë. Situata u komplikua për miqtë në 67’ kur Grujic merr karton të kuq. Por në 72’ Sergio Oliveira zgjidh gjithcka me penallti për Porton.

Grupi D – Në këtë grup shënohet surpriza e mbrëmjes. Atalanta fiton 2-0 në Liverpool, duke shtangur kampionët e Anglisë. Ilicic në 60’ dhe Gosens në 64’ kanë befasuar në “Anfield”. Gjimshiti ishte titullar dhe luajti gjithë ndeshjen në këtë mbrëmje historike në Champions.

Ajax bën detyrën në shtëpi ndaj Midtjylland, duke fituar 3-1. Të gjithë golat janë shënuar në pjesën e dytë. Holandezët nuk e vunë në diskutim fitoren dhe tashmë janë në garë me Atalantën për vendin e dytë.