MENU
klinika

"Frymë e re"

Altin Basha premton reformë në Teatrin Eksperimental

15.12.2020 - 14:58

       Tashmë zyrtarisht, Altin Basha ka marrë edhe detyrën e drejtorit të Teatrit Kombëtar Eksperimetal “Kujtim Spahivogli”. Si pasardhës në detyrë i Kiço Londos, i cili, u largua pas 6 vitesh në krye të TE, Basha thotë se ka njëfarë eksperience dhe thirrjes për konkurs, iu përgjigj me idenë, se mund të çojë përpara frymën e teatrit, me artistë të rinj.

Basha thekson edhe se për një kohë të gjatë, ka menduar sesi mund të reformohet Teatri Eksperimental. madje duke garantuar se i ka mundësitë.

‘’Pas thirrjes së hapur dhe konkursit e intervistës erdha këtu. Është pozicion ku kam njëfarë eksperience. Ka ndikimin e frymës së kërkimit. Është gjenerator i ditëve të reja dhe për një kohë të gjatë kam menduar si mund të reformohet teatri shqiptar në mënyrë që të fuqizohet alternativa. Teatri e ka mundësinë për të qenë i tillë. Ky element ndoshta është arsyeja që mora pjesë në konkurs. Për 10 -15 vjet kam punuar me artistë të rinj, për ta çuar më tej frymën që ka ky teatër.’’- tha Basha.

Ministrja e Kulturës, Margariti, ka prezantuar drejtorin e ri të Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, Altin Basha nën praninë e ish-drejtorit Kiço Londo.

Merr një detyrë, në një moment të vështirë dhe delikat për teatrin. Është momenti të ecim në një mendësi të re, në këtë periudhe pandemie. Shfaqje me pak publik dhe me pak aktorë, “One man show”, u shpreh Margariti.

Ndërkaq, ish-drejtori Londo, nuk e ka fshehur trishtimin dhe dashurinë për skenën…

“Nuk dua që ta fsheh që ndihem i trishtuar edhe i keqardhur që më duhet, për shkak te respektimit te institucioneve, nga kjo shërbesë t’i lë vendin drejtorit pasardhës. Ndihem sikur më kanë larguar nga shtëpia ime. Bashkë me ata që nuk duken dhe që duken, kjo është ajo që më dhemb më shumë, se për një kohë të shkurtër kemi bërë një transformim të jashtëzakonshëm. Unë nuk jam drejtor, s’kam qenë ndonjëherë drejtor, sepse drejtorët nuk janë si unë”, tha Kiço Londo teksa falënderon të gjithë bashkëpuntorët gjatë këtij rrugëtimi, duke e cilësuar TKES, një vijë ndarëse dhe transformim të teatrit shqiptar. “Jam i bindur që ketë që kemi arritur bashkë, jo fort të zakonshme, ku punojnë 21 vetë dhe secili ka vënë 23 shfaqje. Ndërkohë që institucionet e tjera e kanë 0.2 shfaqje për individ. Do të vazhdoj t’ju shërbej, mbarësi të gjithëve. Rroftë teatri”, thotë Londo.

 Të rinjtë, janë fokusi për drejtorin, rishtas në detyrë, Altin Basha.