MENU
klinika

Goleadori i Botërorit 1982

Futbolli botëror sërish në zi, ndahet nga jeta Paolo Rossi

10.12.2020 - 11:45

Një tjetër ikonë e futbollit botëror ndahet nga jeta para kohe. Italia dhe jo vetëm vajton Paolo Rossin. Në moshën 64 vjeç, “Pablito”, “Topi i Artë” pasi fitoi Kupën e Botës më 1982 si protagonist, nuk është më mes nesh. Rossi e fut futbollin përsëri në zi.

Teksa vuante nga një sëmundje e keqe, Rossi ndërroi jetë dy muaj pas ditëlindjes së tij të 64-t. Hero i Botërorit 1982, në të cilin ishte shënuesi më i mirë dhe fitoi “Topin e Artë”, pasi mbaroi karrierën e tij si futbollist u bë i famshëm për gjeneratat e reja si kolumnist.

Ai “lulëzoi” së pari me Vicenza dhe u maturua në Perugia, përpara se të konfirmohej me Juventusin. Paolo Rossi, “Pablito”, gjithashtu luajti me Milanin dhe Verona në fund të karrierës së tij. Në vitin 1987 ai kishte “varur këpucët në gozhdë” dhe më tej bëri komentatorin në transmetues të ndryshëm televizivë, përpara se të kthehej në Vicenza si anëtar i bordit të drejtorëve dhe ambasador i klubit.

Rossi ishte një nga lojtarët e aftë për të fituar garat më të rëndësishme në botën e futbollit, duke pasur parasysh sukseset në Itali dhe Europë me fanellën e Juventusit dhe Kupën e Botës së famshme spanjolle më 1982, cila e bëri legjendar, aq sa fitoi “Topin e Artë”.

Në lidhje me këtë fakt, Rossi, i cili me axurrët ka shënuar 20 gola në 48 ndeshje, ishte lojtari i parë që ka fituar Kupën e Botës, titullin e golashënuesit më të mirë dhe “Topin e Artë” në të njëjtin vit. Një rekord i barazuar vetëm nga “Fenomeni” (Ronaldo) më 2002.