MENU
klinika

Champions League

PSG i kthen reston United, Barça e Juve nuk falin

02.12.2020 - 23:01

Kanë përfunduar ndeshjet e parafundit në grupet e Champions League, ku shumica e skuadrave tashmë kanë mësuar verdiktet për më tej. Spikati fitorja 3-1 e PSG në Manchester ndaj United.

GRUPI E –  Sevilla dhe Chelsea vinin me pikë të barabarta dhe me barazimin 0-0 mes tyre në ndeshjen e parë, kreu vendosej sonte. Fitojnë Blutë e Londrës 0-4, të katërt të shënuar nga Giroud, një  në pjesën e parë dhe tre në të dytën, i fundit me penallti.

Chelsea zë vendin e parë në grup, ndërsa Sevilla ngushëllohet me vendin e dytë. Në ndeshjen e fundit ekipi i Lampard luan në shtëpi me rusët e Krasnodar, sfidë për statistikë për të dyja skuadrat, pasi miqtë kanë siguruar pjesëmarjen ne Europa League.

GRUPI F – Dortmund nuk i kthen dot reston Lazios, me sfidën që përfundon 1-1. Ka munguar Haaland, shënuesi më i mirë me 6 gola në Champions, por kjo nuk ka ndikuar shumë. Verdhezinjtë shënuan me Guerreiron në fraksionin e parë, barazoi Immobile me penallti në të dytën. Strakosha ishte në stol për këtë sfidë.

 

Në sfidën tjetër, Clube Brugge fiton 3-0 ndaj Zenit dhe ngjitet në vendin e tretë në renditje. Rusët mbeten në fund pa asnjë shans. Dortmund shkon në Rusi për vendin e parë, vendi i dytë do të diskutohet në sfidën e fundit Lazio-Club Brugge, me bardhekaltrit që u mjafton edhe barazimi.

GRUPI G – Barcelona fitoi 0-3 në Hungari ndaj Ferencvaros dhe është e vetmja që ka marrë pikët e plota, 15. Golat u shënuan nga Griezmann, Braithëaite dhe Dembele. Për vendasit luajti 90 minuta Uzuni, por pa arritur të shënojë. Messi ishte lënë pushim.

Nuk fal as Juventus, teksa mposht 3-0 ukrainasit e Dinamo Kiev. Chiesa shënoi në pjesën e parë, ndërsa në të dytën Ronaldo dhe Morata. Ndeshja e fundit është Barcelona-Juventus. Kampionët e Italisë duhet të fitojnë me diferencë 3 gola që të marrin vendin e parë. Cdo rezultat tjetër mban Barcën në krye.

GRUPI H – Kryendeshja mes Manchester United dhe PSG përfundoi me hakmarrjen 1-3 të francezëve. Neymar rikthehet te goli (6’), por vendasit gjejnë ekuilibrin në 32’ me Rashford. Në të dytën, Marquinhos në 69’ shënon golin e dytë për miqtë dhe pas 2 minutash Fred ndëshkohet me të kuq për vendasit.

Në fund ka vend edhe për një gol të tretë. Është Neymar që realizon sërish. Tre skuadra kanë nga 9 pikë në këtë grup, por kryeson PSG në sfidat direkte me të dyja, për më tepër që në sfidën e fundit pret në shtëpi turqit e Basaksehir.