MENU
klinika

Sfida përmes shifrave

Rikthehet dueli historik Messi-Ronaldo

07.12.2020 - 16:53

Nesërmbrëma futbollit botëror do t’i rikthehet një nga duelet më të bukura, ai mes Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos. Nuk u përballën dot 28 tetorin e kaluar në “Allianz Stadium”, sepse portugezi ishte jashtë prej Covid-19.

Sidoqoftë, nesër do të jetë një mundësi e re për të testuar pulsin, që ka shënjuar një dekadë. Leo Messi do të përballet me Cristiano Ronaldo në Barça-Juventus, superfisdë për vendin e parë në grupin G të Ligës së Kampionëve. Pra, kemi të bëjmë me shumë më tepër se një ndeshje e zakonshme, si gjithmonë, kur vihet në skenë ky duel i përjetshëm.

Fatkeqësisht, skena e “Camp Nou” do të jetë e shkretë për shkak të pandemisë. Një fatkeqësi e vërtetë, kur dy figurat përreth të cilëve është rrotulluar futbolli në dhjetë vitet e fundit, takohen përsëri, duke rrëmbyer të gjithë titujt dhe çmimet e mundshme.

Pritet një përplasje në rrethana shumë të ndryshme nga 35 paraardhëset mes të dyve, e fundit prej të cilave u luajt në Barça-Real Madrid, klasike në “Camp Nou”, më 6 maj 2018.

Që atëherë, CR7 është bërë udhëheqësi i Juventusit të Torinos, me të cilin pushtoi Serie A, por nuk e ka arritur objektivin e madh, për ta sjellë për herë të tretë Ligën e Kampionëve te “Zonja e Vjetër”. Të shtunën e kaluar festoi 750 golat e tij si profesionist, megjithëse mbeti pa gol në derbin kundër Torinos. Pavarësisht fitores 2-1, Juve është në vendin e katërt në garën për “Scudetto”.

Në 9 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon, CR7 ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë 1 asist. Dhe, si zakonisht, sulmuesi portugez ofron versionin e tij më të shkëlqyer, kur tingëllon muzika e Ligës së Kampionëve. Ai ka 2 gola dhe 1 asist në Europë, këtë edicion. As rivali i tij i përjetshëm nuk arrin më së miri.

Kapiteni i Barçës po jeton fazën e tij më të dobët në një klub që është zhytur në krizë të thellë institucionale, ekonomike dhe sportive. Ronald Koeman përpiqet të rikuperojë Leon për çështjen Blaugrana, të paktën për këtë sezon, ndërsa argjentinasi duket në dilemë nëse do të rinovojë apo do ta vazhdojë karrierën e tij sportive në një klub tjetër.

7 golat dhe 4 asistet e “Pleshtit” në 13 ndeshje, në sezonin 2020-2021, janë larg nga statistikat e tij më të mira, megjithëse mbetet arma më e mirë sulmuese e Barçës. Megjithë pushimin në dy ndeshjet e fundit europiane, ai ka 3 gola dhe 2 asiste në 3 ndeshje.

Si do të jetë ribashkimi midis Leos dhe Cristianos? E paparashikueshme, si gjithmonë, kur të dy janë në fushë. Messi përfaqësoi fantazinë dhe kreativitetin, ndërsa Ronaldo përfaqësoi fuqinë dhe efikasitetin.

Me kalimin e viteve, të dy pranuan se sukseset e njërit ishin “karburanti” i tjetrit për të vazhduar rritjen. Ata ëndërrojnë të kurorëzojnë palmaresin spektakolar me një Champions të ri. Argjentinasi ka katër të tillë, ndërsa portugezi pesë. Dhe si shumë herë më parë, rrugët e tyre kryqëzohen…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dueli vijon në distancë

Ronaldo-Messi, krahasimi përmes golave

Goli kryevepër më 27 maj 2009

Kur Messi mposhti CR7-n në finalen e Champions