MENU
klinika

Djali i Michael

Zyrtare, Mick Schumacher kalon në Formula 1

02.12.2020 - 10:43

Pas shumë zërash, tashmë është zyrtare: Mick Schumacher do të garojë në Formula 1 sezonin e ardhshëm. Piloti 21-vjeçar gjerman do të pilotojë makinën amerikane Haas.

Mick është djali i 7 herë kampionit të botës në Formuka 1, Michael Schumacher dhe aktualisht garon me Prema në Formula 2, ku në fundjavë pritet të shpallet kampion.

Ai është gjithashtu pjesë e Akademisë Ferrari. Makina Haas përdor motor Ferrari, ndaj ky transferim dhe debutim në Formula 1 me makinën Haas ishte i pritshëm. Debutimi me një makinë të tillë është një mundësi e mirë për Mick Schumacher të ambientohet me Formula 1.

Pas zyrtarizimit, ka ardhur reagimi i djaloshit 21-vjeçar gjerman. “Falënderoj Akademinë Ferrari që ka patur gjithnjë besim tek unë dhe më ka dhënë mundësinë të shpreh në mënyrën më të mirë të mundshme potencialin tim”, – shkruan Mick.

“Falënderoj të gjithë ata që mundësuan këtë kalim në Formula 1. Mezi pres të vihem në dispozicion të skuadrës. Kjo është një ëndërr që bëhet realitet”, – tha më tej Mick Schumacher.

Piloti i ri gjerman do të debutojë me makinën Haas në sesionin e parë të provave të lira (të premten) në garën e fundit sezonale në Abu Dhabi. Ai do të ulet në njëvendëshen VF20, makinë e cila garon aktualisht në Formula 1.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN