MENU
klinika

Presidenca e tij ‘po befason!’

Surprizat e Joe Bidenit

30.01.2021 - 18:42

Joe Biden ka mjaft njohuri për presidencën e SHBA për të kuptuar që javët e para janë më të lehtat dhe më të këndshmet.

Në mënyrë të pashmangshme do të ketë pengesa dhe kriza, veçanërisht për një president i cili mori detyrën mes një pandemie të furishme, kolapsi ekonomik dhe një krize klimatike afër një pike kulmi.

Në javët e para një president i ri mund të arrijë shumë përmes urdhrave ekzekutivë, duke ndryshuar politikat e mëparshme të administratës dhe duke sinjalizuar një angazhim ndaj vlerave të caktuara pa ndërhyrje nga Kongresi.

Biden mund të përdorë fuqitë e zyrës së tij në mënyrë të njëanshme për të shtyrë përparësinë e tij të parë: kontrollimin e pandemisë.

Presidenti i ri gjithashtu ka liri në emërimin e kabinetit të tij. Kur ai njoftoi për herë të parë zgjedhjet e tij për të plotësuar shumë pozicione të larta këshilluese dhe kabineti, shumë vëzhgues u shqetësuan se Biden po kthehej te emrat e dikurshëm për të trajtuar nevojat e aktualitetit.

Biden zgjodhi një kabinet kompetent në përgjithësi dhe theksi u vendos edhe në diversitetin e tij dhe vetëm pas një periudhe fillestare paksa të qetë do të kuptohet sesa sukses do të ketë kabineti i tij.

Emërimi i gjyqtarit të Gjykatës Federale të Apelit të SHBA Merrick Garland për të qenë prokuror i përgjithshëm në fillim dukej se ishte kryesisht një “pakënaqësi” për udhëheqësin e Senatit Republikan Mitch McConnell, i cili refuzoi madje të lejojë seanca dëgjimore për Garland kur Barack Obama e përdori për të plotësuar një vend të lirë në gjykatë. Për ata që e njohin Garland, megjithatë, ai është një zgjedhje e shkëlqyeshme: i shkëlqyer, i qetë dhe i ndershëm, personi i duhur për të rivendosur integritetin dhe moralin në një Departament të Drejtësisë të shkatërruar nga Donald Trump.

Në mënyrë të ngjashme, shefi i shtabit të Biden, Ron Klain, është pothuajse po aq me përvojë sa shefi i tij, pasi ka shërbyer si shef i shtabit te Biden gjatë kohës kur ai ishte zv.president.

Marrëdhëniet e krijuara në vitet e punës e kanë ndihmuar Biden të mos gabojë deri më tani.

E vërteta historike është se fytyrat e reja në Zyrën Ovale mund të jenë emocionuese, por ato vijnë me rreziqe. Brenda tre muajve nga marrja e detyrës, John F. Kennedy relativisht i papërvojë, i adhuruar gjerësisht për pamjen, sharmin dhe elokuencën e tij, ndërmorri pushtimin katastrofik të Gjirit të Derrave në Kubë.

George U. Bush, djali i një presidenti dhe guvernatori me dy mandate të Teksasit, ishte ndoshta më me përvojë nga sunduesit e Shtëpisë së Bardhë.

Sidoqoftë, ai kryesoi dy fatkeqësi të shmangshme në fillim: sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 (paralajmërime dhe të dhëna të shumta nuk u morën në kosnideratë) dhe pushtimi i Irakut (i cili, si Lufta e Vietnamit e Lyndon Johnson, u bazua publikisht në një gënjeshtër).

Presidentët Jimmy Carter dhe Bill Clinton, të dy ish guvernatorë të jugut, ishin burra të zgjuar me përvojë të kufizuar në Uashington.

Dhe Obama kishte shërbyer për vetëm tre vjet në Senatin Amerikan përpara se të zgjidhej; ai as nuk denjonte të merrej me Kongresin dhe as nuk kishte shumë interes për të.

Marrëdhënia e Biden me Obamën dhe trashëgimia e tij janë më të komplikuara nga sa duket. Ndërsa Obama zhgënjeu shumë demokratë të Capitol Hill me kujdesin dhe gatishmërinë e tij për kompromis me republikanët, Biden qëllimisht i përshkruan propozimet e tij si “të guximshme”.

Propozimet e tij të emigracionit bien në kundërshtim me politikën e Obamës për të ndjekur dëbime të konsiderueshme të imigrantëve të paligjshëm.

Mesazhi duket të jetë se Biden nuk do të qëndrojë më në hijen e Obamës.

Pasi shërbeu për katër dekada në Senat para se të bëhej zv.president, Biden ka interes për Kongresin që nga Johnson.

Megjithatë, nuk do të vonojë shumë dhe do të dimë nëse të gjitha fjalimet e tij për të punuar me republikanët bazohen në naivitetin nostalgjik ose është një mënyrë e zgjuar e provokimit të republikanëve për t’u kuptuar nëse ata do të përpiqen të pengojnë propozimet e tij.

Dhe pengesa duket e mundshme.

McConnell mund të ketë parë përfundimisht që mohimi i Trump për të pranuar rezultatin e zgjedhjeve nuk po i bënte mirë partisë Republikane, por kjo nuk do të thotë se ai është bërë më pak i ashpër.

Biden po luan gjithashtu një lojë të sofistikuar me të majtën e partisë së tij. Ai arriti të formonte një qeveri pa u dhënë post senatorëve Elizabeth Uarren ose Bernie Sanders edhe pse të dy kërkuan të bashkoheshin në kabinetin e tij.

Ndjekësit e Sanders madje e kërcënuan Biden nëse ai nuk do t’i jepte senatorit të Vermontit punën që donte.

Biden i ka shpjeguar veprimet e tij duke vërejtur lehtësisht, por jo në mënyrë të paarsyeshme se margjinat e Demokratëve në Kongres janë shumë të pakta për të rrezikuar një vend të vetëm të lirë, megjithëse ai zgjodhi tre anëtarë të Dhomës nga rrethet relativisht të sigurta Demokratike për poste të larta.

Sanders nuk vonoi shumë para se të merrte parasysh propozimet e politikës së Biden. Por kjo është pjesë e shfaqjes.

Alexandria Ocasio-Cortez dhe “skuadra” e saj mund të mbajnë presionin nga e majta, ndërsa Joe Manchin i Uest Virginia, një shtet i cili votoi shumë për Trump në 2020, paraqet një problem nga e djathta e Biden.

Në një Senat 50-50, me zv.presidenten, Kamala Harris që thyen çdo barazim, çdo votë ka rëndësi.

Akoma, Biden ka miratuar shumë nga axhenda e së majtës dhe do të përpiqet të shesë këto politika nga qendra.

Një shenjë e këtij ndryshimi është se, ndryshe nga të gjitha administratat e fundit Demokratike, Biden nuk ka trumpetuar Uall Street duke u dhënë bankierëve vendet e para të punës si u veprua nga Trump.

Sekretarja e re e Thesarit, Janet Yellen, është një ish-kryetare dhe akademike e Rezervës Federale, e cila e ka bërë të qartë se ajo i kupton nevojat e ngutshme sociale të vendit.

Për më tepër, Biden u këshillua me Uarren për pikëpamjet e saj ekonomike dhe ka emëruar një ish këshilltar të Uarren si zëvendës të Yellen.

Biden po vjen më i ashpër dhe më i paparashikueshëm sesa njerëzit menduan se do të ishte. Deri më tani edhe pse është ende herët, presidenca e Biden ka rezultuar të jetë më interesante dhe befasuese nga sa pritej.

 

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ F.H, Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN