MENU
klinika

Serie A

Fiksohet data për sfidën e prapambetur Juve-Napoli

26.02.2021 - 14:26

Pas gati pesë muajsh, një pyetje ende nuk ka gjetur përgjigje në futbollin italian: kur do të luhet Juventus-Napoli, ndeshja e famshme e shtyrë e së dielës së 4 tetorit 2020? Por më në fund duket se është përjuar data e këtij takimi.

Në ditët e fundit, një datë specifike është bërë gjithnjë e më popullore: e mërkura e 17 marsit. Pra, një ditë e mesjavës. Një datë potencialisht e lirë në kalendarin e mbingarkuar të dy ekipeve. Një skenar që është bërë gjithnjë e më realist, pas eliminimit të Napolit nga Liga e Europës përballë Granadas.

Në javën nga 15 deri më 21 mars, të kaltrit e Gattusos do të jenë të lirë për këtë angazhim të prapambetur. Sa i përket Juventusit, nuk ka asnjë problem në këtë kuptim. Bardhezinjtë do të luajnë ndeshjen e dytë të raundit të Champions-it kundër Portos të mërkurën e 10 marsit dhe, në rast kualifikimi, çerekfinalet do të jenë në fillim dhe mesin e prillit. Java 15-21 mars për skuadrën e Pirlos është e zbrazët.

Pritet vetëm zyrtarizimi më 17 mars. Sa e rëndësishme është kjo sfidë? Për Juventus janë jetike tri pikët, pasi vetëm kështu mund të konkurronte fort për kreun. Edhe për Napolin fitorja vlen shumë, pasi Gattuso do t’i shpëtonte shkarkimit dhe nga ana tjetër do të ishte brenda objektivit për zonën Champions.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN