MENU
klinika

Serie A, Java 24

Mposht Romën në “Olimpico”, Milan lë pas humbjet

28.02.2021 - 22:41

Milan ka lënë pas dy humbjet radhazi në kampionat, ndaj Spezias dhe Interit, dhe është kthyer te fitorja. Kuqezinjtë triumfuan 2-1 në “Olimpico” ndaj Romës, duke iu afruar Interit në krye.

Milan gjeti golin e parë pas plot 7 rastesh të krijuara në 45′ e para. Faulli i Fazios ndaj Calabrias fillimisht nuk shihet nga arbitri, por VAR e thërret dhe duket taka ndaj kaviljes së milanistit. Franck Kessie nuk gabon nga pika e bardhë dhe i jep avantazhin kuqezinjve.

Roma ka gjetur barazimin me Veretout në fillim të pjesës së dytë. Goditje në hyrje të zonës nga francezi që gjen këndin e duhur. Përpara këtij rasti ishte Theo Hernandez ai që iu afrua golit.

Milani rikthehet në avantazh me Ante Rebic në 58’. Sulmuesi kroat merr pasimin e saktë, rrotullohet me këmbën tjetër dhe mposht Pau Lopez. Aksion i bukur nga kuqezinjtë që u fituan topin verdhekuqve dhe menjëherë goditën. Sakaq, Zlatan Ibrahimovic doli i dëmtuar. Kuqezinjtë mbrojtën fitoren më pas.