MENU
klinika

Kinema shqip

“Zgjoi”, suksesi i trefishtë kosovar në Amerikë!

04.02.2021 - 17:08

        Prodhimi shqip, me regji nga Blerta Basholli, “Hive”, shënon sukses të jashtëzakonshëm në festivalin më të madh të filmit në Amerikë.

Projekti kinematografik që në rol kryesor ka Yllka Gashin, ka rrëmbyer tre çmime. Në garën e kinemasë dramatike botërore, filmi “Zgjoi” është shpërblyer me çmimin e madh të jurisë, çmimin e publikut, si dhe çmimin e regjisorit më të mirë.

“Të shpërblehem nga festivali im i preferuar, ka rëndësi të papërshkrueshme për mua. Dua t’i ndaj këto çmime me të gjithë ekipin, aktorët dhe posaçërisht me Fahrije Hotin, të cilën e mbaj në zemër që nga momenti i parë që e kam takuar dhe e cila, është shembull për të gjithë ne” – kështu është shprehur Blerta, përmes një videomesazhi, me vlerësimin si “Regjisorja më e mirë”, gjatë ceremonisë së ndarjes çmimeve.

Kjo pa dyshim se është arritje tejet e madhe e filmit kosovar në arenën botërore.

“Kemi punuar shumë dhe gjatë që ta sjellim këtë film para jush, publikut dhe jemi shumë të nderuar që na shpërblyet”; “Duam t’ia dedikojmë këtë çmim vendit tonë të dashur dhe të bukur, Kosovës.” – u shpreh Yll Uka, producenti i filmit, me rastin e pranimit të çmimit të Publikut dhe çmimit Filmi më i mirë (Grand Jury Prize).

“Zgjoi” është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrijes (interpretuar nga Yllka Gashi) nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për të siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar, nuk shihet me sy të mirë.

Në rolin kryesor luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera, luajnë: Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj; me producent Yll Ukën, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri dhe me bashkëproducentë: Valon Bajgorën, Agon Ukën, Britta Rindelaub-in, Kristijan Burovskin, Tomi Salkovskin dhe Paskal Seminin.

“Zgjoi“ është bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Ikonë Studio dhe Industria Film, me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.

Suksesi kosovar është përshëndetur edhe nga gazeta e njohur amerikane, me një artikull për filmin “Zgjoi”, tanimë me tri çmime kryesore në “Sundance Festival”.

“The Austin Chronicle” e nis shkrimin me përshkrimin e filmit.

“Si kaq shumë gra në fshatin e vogël kosovar të Krushës së Madhe, Fahrije Hoti (Yllka Gashi) po jeton vërtet, në gjendje të paqartë. Burri i saj është zhdukur, supozohet se është mbytur, apo pushkatuar, por në “Zgjoi”, shpresa që ai ende jeton gumëzhin në veshët e saj”.

Duke shtuar: “Kur ai të kthehet”, – thotë vjehrri i saj i gjymtuar, Haxhi (Çun Lajçi), sa herë që përmendet emri i burrit të saj të zhdukur. “Nëse ai kthehet” – është përgjigja e saj e vazhdueshme edhe pse të dy, përbrenda e dinë që kjo është një ëndërr e pamundur”.

“Fahrija po ecën drejt pranimit të faktit që një ditë, eshtrat e tij do të jenë në një nga ato qeset e bardha që mbërrijnë me kamionë të mbushur. Derisa biznesi i vogël familjar i mjaltit mezi arrinte të mbulonte disa fatura, ajo filloi të shesë ajvar, një spec të kuq të pjekur dhe salcë patëllxhani që do të kujtojë banorët e qytetit në fshat”.

Bazuar në historinë e vërtetë të Fahrije Hotit të vërtetë, e cila u bë një biznesmene prej dëshpërimit: “Zgjoi” është një histori intime e pranimit dhe rritjes. Drama e Blerta Bashollit është një vështrim shumë i saktë në Kosovën rurale, ende larg nga humbjet dhe dëmtimet e luftës civile Jugosllave.
Megjithatë, ajo gjithashtu vështron “pakënaqësitë” e çeljes së bizneseve të vogla në Kosovë. “Askush nuk ngre vetullat”, nuk ngrihet kur ajo udhëton në qytetin e madh të Prishtinës, për të lidhur një marrëveshje me një blerës, në një supermarket, por në fshatin e saj ajo quhet lavire vetëm për faktin se nget makinën, – shkruan gazeta amerikane.

Basholli ruan një atmosferë intimiteti, që nënvizon qëllimisht rëndësinë e arritjeve të Fahrijes. Nuk bëhet fjalë për një qëndrim të fortë politik, por për më shumë nevoja personale: për të paguar faturat, për të pasur shpresë, miq, dinjitet e për të mos jetuar me frikë.

Performanca e Yllka Gashit është nderimi për një grua që e ndryshoi jetën në heshtje, pa u bërë kurrë shenjtore – e përfundon shkrimin, gazeta e njohur amerikane.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi i fortë që Rocky Balboa i dha djalit

‘Derisa të besosh te vetja, nuk ke për të pasur një jetë’


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!