MENU
klinika

"La Reppublica"

E strehoi 30 vjet më parë: gazetari italian kërkon Neritanin

11.03.2021 - 13:39

       Një shkrim nga “La Repubblica”, sjell në vëmendje eksodin e shqiptarëve, tridhjetë vjet të shkuara. Asokohe, gazetari italian Mino Marinazzo, i hapi derën një prej të rinjve që mbërriti në Brindizi, por sot ai e kërkon sepse nuk ka pasur më asnjë kontakt me të, veç një letre falënderuese nga prindrit e tij.

Shkrimi në “La Repubblica”:

Tridhjetë vjet më parë, shumë shqiptarë u dyndën drejt Italisë dhe vendeve të tjera të Evropës, në kërkim të një jete më të mirë. Ishte data 7 mars 1991, kur në Itali mbërritën mbi 25 mijë vetë: burra, gra dhe fëmijë të çdo moshe.

Ata u larguan nga Shqipëria për në Itali – Italia, që kishin parë vetëm në televizor, u dukej si Eldorado. Një ndër qindra të rinjtë ishte edhe Neritani, 19 vjeç në atë kohë, i cili, mes mundimeve ia doli të mbërrinte në Brindizi.

Aty ai u prit nga një banor vendas, i quajtur Mino Marinazzo, gazetar, i cili i hapi dyert për dy muaj e gjysmë. Më pas, i riu është larguar për në Italinë Veriore dhe nuk ka patur asnjë kontakt me zotërinë që e priti në shtëpi.

Sot, pas 30 vitesh, Marinazzo bën thirrje për ta gjetur, me dëshirën për ta ritakuar, pasi e vetmja gjë që i ka mbetur nga ai, është një letër nga prindrit e të riut. Ai e përshkruajti të riun shqiptar, si shumë të sjellshëm dhe të heshtur.

“Neritani ishte 19 vjeç dhe qëndroi dy muaj e gjysmë në shtëpinë time, para se të nisej për në Veri. Ai ishte i heshtur dhe i sjellshëm, plot shpresë për Italinë, që e pa si Eldorado. Nga ai, më ka mbetur vetëm një letër që më ka dërguar familja e tij. Neritani arriti i vetëm në Itali, pasi prindrit mbetën në Tiranë.”

Në atë kohë, Brindizi hapi dyert dhe mirëpriti shumë shqiptarë. Njerëzit flinin në shkolla, famulli dhe ditët e para edhe në rrugë, në dyert e ndërtesave dhe nën arkadat në lagje të ndryshme. Kishte mobilizim të shkëlqyeshëm, duheshin rroba, batanije, ushqim, ujë, qumësht për fëmijët. Askush nuk u tërhoq. Në një moment, famullitë u kërkuan qytetarëve të mirëprisnin shqiptarët në shtëpitë e tyre. Fillimisht, Neritani qëndroi në famullinë e rrethit Casale dhe më pas u zhvendos në shtëpinë e Marinazzo. Në fund të muajit që u largua, ai vendosi të shkonte për në Veri, me një grup shokësh, për të gjetur punë. Në Brindizi, nuk kishte shumë mundësi dhe në ato muaj, ai nuk kishte mundur të gjente asgjë. Neritani u largua dhe reporteri nuk dëgjoi më asgjë prej tij.

“I dhashë të holla për udhëtimin dhe diçka që të mund të jetonte, ai hipi në tren dhe nuk e pashë më kurrë. Do të doja ta dija, se si është dhe ku është.”

Sidoqoftë, ka mbetur një letër e prindërve të Neritanit, drejtuar Marinnazzo-s. Letra mban datën 15 qershor 1991. E kishte shkruar i ati i Neritanit, i cili i shprehte mirënjohjen për gjithçka kishte bërë për të birin.

Babai i të riut, shkruante:

Ne nuk dimë si t’ju falënderojmë, por jemi shumë të shqetësuar për fatin e tij. Për ne që jemi kaq larg, është një gjë e jashtëzakonshme të mendosh se djali ynë, ka takuar njerëz të mirë si ju. Na vjen keq për shqetësimin, por edhe ne, ashtu si ju, shqetësohemi për fatin e tij, sepse ai është shumë i ri, ai është ende një i ri. Ju lutem, flisni me të, jepini disa këshilla sikur të ishit vëllai i tij, sepse ne kemi një shprehje: “i riu si veriu.”

Marinazzo, iu përgjigj menjëherë asaj letre, duke shpjeguar se Neritani ishte larguar nga ai.

Tanimë, pas 30 vjetësh, asgjë nuk dihet për fatin e të riut… që ngjason me fatet e mijëra të rinjve, të cilët ende sot, mbërrijnë në brigjet italiane në kërkim të një jete më të mirë…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rama nxjerr videon nga hapja e ambasadave

30 vjet nga eksodi historik i shqiptarëve!

4800 azilkërkues për tremujorin III

Eksodi nga Shqipëria vazhdon