MENU
klinika

Presidenti i ri i Barcelonës

I hidhur dhe argëtues, kush është Joan Laporta

09.03.2021 - 17:54

I lumtur, rrezatues dhe i kënaqur. Kjo është mënyra se si Joan Laporta, presidenti i ri i Barcelonës, u prezantua para mediave, pasi mbaroi numërimi zgjedhor. Laporta përballet me një fazë të dytë në krye të klubit katalanas, pasi e komandoi atë midis viteve 2003 dhe 2010, me forcën që i dhanë 54.28% të votave të hedhura.

Në një moment, gjatë kësaj feste, Joan Laporta u çlirua nga tensioni i akumuluar në debate dhe prezantime për ta lëshuar veten me një ton euforik: “Le të shkojmë në Paris për të parë nëse mund ta përmbysim disavantazhin”.

Ai kujtoi se “sot kishin kaluar 20 vite, që kur një djalë me emrin Leo Messi bëri debutimin e tij në ekipin B të Barçës, ndërsa tani është lojtari më i mirë në botë, teksa erdhi për të votuar me djalin e tij. Përderisa ka votuar, kjo do të thotë se e do Barçën.”

“Ai është një familje e shkëlqyeshme. Unë e inkurajoj që të vazhdoj te Barça, sepse kjo është ajo që të gjithë duam. Një duartrokitje për Leo Messi. Ne jemi një familje e shkëlqyer dhe, me siguri, kjo ndjenjë që na bashkon do të na bëjë të ecim përpara të gjithë së bashku.”

Po kush është Joan Laporta? I hidhur, provokator, direkt, argëtues dhe me vetëbesim. Ky është presidenti numër 42 i historisë së Barcelonës dhe një nga katalanasit më të njohur në të gjithë botën. Identifikohet shpejt për faktin se në 20 vitet e fundit i është dedikuar skuadrës blaugranë dhe kjo gjë nuk mund të kalohet në indiferentizëm.

Ai ka qenë president edhe më parë, ku udhëhoqi një epokë të artë të futbollit për skuadrën e tij dhe arriti për herë të parë fitoren e 6 trofeve në vitin 2009. Ai gjithashtu ishte i pari që firmosi kontratën profesionale me Lionel Mesin në vitin 2005.

Avokati dhe biznesmeni i njohur është ulur në tryezë me “Pleshtin” dhe menaxherin e tij në 5 raste për t’i rinovuar kontratën dhe për t’i përmirësuar kushtet në 7 vitet që ka qenë president për herë të parë, nga viti 2003 deri në vitin 2010.

Por, sa sukses ka pasur në futboll, aq edhe probleme ka pasur në bizneset e tij private në Uzbekistan, apo edhe në jetën private. Pasi dështoi të rikthehej në krye të klubit në vitin 2015, kur zgjedhjet i fitoi Bartomeu, Laporta ia doli tani.

E ka shijuar fushatën elektorale duke treguar se vazhdon të jetë i pakonkurrueshëm në aspektin e oratorisë, karizmës dhe forcës udhëheqëse. Në Barcelonë e shohin si shpëtimtarin e klubit dhe si presidentin që do të nxjerrë nga momenti negativ skuadrën. Tani duan ta shohin në aksion për të mbajtur premtimet e bëra dhe mbi të gjitha të blindojë Lionel Mesin.

Laporta ka siguruar që nuk do ta përziejë aspak aspektin politik dhe personal me atë të skuadrës. Pavarësisht se mosha kalon dhe tashmë është 58 vjeç, Laporta nuk e ka humbur sensin e humorit dhe ngacmimet.

Diçka të tillë e tregoi me banderolën e madhe që shpalosi në Madrid, përpara stadiumit “Santiago Bernabeu”. Ka nisur një tjetër “ndeshje” historike për Barcelonën dhe është avokati katalanas ai që mban shiritin e kapitenit në krah.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN