MENU
klinika

Ben Andoni

Më mirë një parti e re konservatore sesa ndryshim i PD-së

29.04.2021 - 16:37

Shqipëria ka një mungesë trishtuese të parimeve të së Djathtës, përfaqësuar prej partive që mëtojnë se janë brenda kësaj ideologjie, por më shumë se kaq një frustrim në ditët e fundit për t’i mbushur mendjen leadership-it të saj se duhet të dorëhiqet. Procesi do të jetë i vështirë por jo i realizueshëm, pasi pjesa më e madhe e njerëzve të së Djathtës i gjen justifikimin z.Basha për të mos dhënë qëndrimin. Tek e fundit kjo statusquo është e mirë për ta, veçse jo për votuesit e tyre.

Po çfarë duhet të bëj në këtë rast e Djathta shqiptare?! Votat e mbledhura nga aleatët e vegjël nga të ashtuquajturit konservatorët e vegjël jo vetëm nuk e ndryshuan diferencën me PS të Ramës, por as nuk mundën t’i jepnin ndryshimin e premtuar vendit. Zhgënjimi është i madh jo vetëm për ta por edhe fashën ideologjike që ata përfaqësojnë.

Më i hidhur nga të gjithë është vetë diskursi politik i Lulzim Bashës, i cili me qëndrimin e tij duket se do ta vonojë njohjen e zgjedhjeve për të fituar kohën e nevojshme të qetësimit të kundërshtarëve në parti. Kjo e shpjegon fillimin e turit të ecejakeve të ambasadorëve që do të konsumojnë këtë pranverë nga Selia e PS drejt SHQUP-it të PD-së, derisa Basha të futet në sistem, gjoja për hir të forcave madhore jo për të. Dhe, derisa të mbarojë kjo Basha me ligjërimin e tij që shkonte nga përmbysja e sigurt e së dielës, më pas tollovinë e kutive dhe pastaj për paragjykimin e zgjedhjeve të manipuluara, ka kohë të heqë vëmendjen. Sepse Basha e di mirë që ne, shqiptarët, harrojmë shpejt. Po fare shpejt.

Ndërkohë është një masë e madhe, veç njerëzve të zhgënjyer dhe të përzënë me kohë nga PD-ja që nuk mund të durojnë. Por e keqja e tyre është se duan të shfrytëzojnë asetet njerëzore dhe strukturat e PD-së për të shpalosur e shtrirë idetë e tyre. Që në fakt, është e pamundur. Idetë e sfiduesve të PD-ja janë të mira, por një makinë nuk e bën të mirë vetëm dukja por edhe motori dhe agregatet e tjera. Dhe, ngutja duke përdorur në masë të vjetra nuk është se do i ndihë aq shumë. Për më shumë pronësia e kësaj partie nuk është e njerëzve, por e pak njerëzve, që e duan Bashën të jetë aty. Me buzëqeshjen dhe pamundësinë e tij.

Problem është se pse njerëzit e reformës së PD-së nuk e fillojnë prej konservatorizmit. Pasi logjika e tillë e ndan shumë vetë këtë formacion prej paqëndrueshmërisë dhe mungesës së besimit, që ka ngritur.

Sipas Michael Oakeshott, njërit prej ideologëve të Konservatorëve: “Të jesh konservator … do të thotë të preferosh të njohurën në vend të së panjohurës, të preferosh të provuarin e jo të paprovuarin, faktin nga misteri, aktualitetin për të mundshmen, të kufizuarin në vend të së pakufizuarin, të afërtin në vend të së largëtit , e mjaftueshmen për deri të tepërtën, e përshtatshmen drejt perfektes, gëzimin e tanishëm në vend të lumturisë utopike “.

Por, në fakt, Partia Demokratike nuk kthehet dot më sepse është larguar krejtësisht nga gjërat e prekshme (ato po ia merr PS-ja)  e jo pak herë sloganet e saj janë jo pak të Majta. Ndaj, një parti e re, mund të jetë zgjedhja e vërtetë që duhet të kthehet në respektimin e zemrës së parimeve të ideologjisë së konservatorëve, e cila shkon direkt për respektimin e institucioneve të parlamentarizmit, të drejtat e pronës, religjionit dhe kthimit të vërtetë të vlerat e traditës. Dhe, me kauzën e pronës, bash atë që PD-ja e çoi në shkatërrim Shqipërinë mund të rinisë një ngritje që të inkurajojë njerëzit e saj më të mirë. Harxhimi i energjisë për një ringritje të një partie të tillë është e kotë. Berisha, njeriu që vendos ende, e tregoi këtë. PD-ja e tij është e pandryshueshme dhe mban bash fytyrën e Bashës. Ndaj duhet një parti e re konservatore, e qepur me parimet e filozofisë sociale dhe politike të saj. E kërkon koha.