MENU
klinika

Icardi te Juventus?

Real i fokusuar te Mbappe, Ronaldo drejt PSG-së

16.04.2021 - 13:51

Cristiano Ronaldo do të vendosë në fund të sezonit nëse do ta respektojë kontratën me Juventusin, që skadon më 30 qershor 2022, apo të vendosë që të shpallë divorcin përpara kohe.

Portugezi aktualisht është i përqendruar vetëm tek arritja e objektivave minimalë që i kanë mbetur për t’u arritur deri në fund, konfirmimi në zonën Champions dhe fitorja e Kupës së Italisë, ndërsa pas pushimeve dhe relaksimit do të shpallë edhe hapin e radhës.

36-vjeçari gjithsesi e di mirë se pagën që përfiton aktualisht te Juventus, 31 milionë euro neto në sezon, nuk është se ia garantojnë shumë klube, por ndoshta arkat e klubit francez të PSG-së mund ta përballojnë.

Kjo edhe për faktin se Real Madrid ka hequr dorë përfundimisht nga një rikthim i mundshëm i CR7-ës në La Liga, pasi çdo ditë e më shumë po afrohet me Mbappe dhe për të zëvendësuar yllin e tyre, PSG kërkon Cristiano Ronaldon.

Portugezi e ka edhe një vit kontratë me Juven, por për të paguar kartonin e tij transalpinët kanë ofruar zyrtarisht Mauro Icardin, i cili do ta pranonte të vishej bardhezi pasi do të kishte më shumë hapësirë aktivizimi. Por, për momentin “Zonja e Vjetër” nuk është aspak e bindur mbi këtë mundësi, ndonëse duke parë se si po rrjedhin gjërat, ndoshta deri në fund të sezonit situata mund të ndryshojë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN