MENU
klinika

Kategoria Superiore, Java 30

Tjetër rokadë në krye të Superiores

28.04.2021 - 17:01

Kanë përfunduar 3 ndeshjet e tjera të Superiores, që përkojnë me javën e 30-të. Dhe rezultatet sollën tjetër rokadë në krye. Teuta është rikthyer të kryesojë pas fitores 2-0 në transfertë ndaj Kukësit.

Durrsakët kanë shënuar nga një gol për secilën pjesë loje. Krasniqi në minutën e 12-të cliroi miqtë, ndërsa Rustem Hoxha në 67’ siguroi fitoren. Kukësi po përjeton sezonin më të dobët qëkur është ne Superligë.

Teuta përfitoi nga ndalesa 2-2 e Partizanit në Laç. Të kuqtë shënuan që në minutën e 10-të me Cinarin, por pas tetë minutash vendasit barazojnë me Mustën. 1-1 mbyllet pjesa e parë.

Kurbinasit përmbysin në minutën e 59-të me anë të Shehut, që përfiton nga stepje e mbrojtjes së kuqe. Megjithatë, Partizani nuk dorëzohet dhe Junior në 80’ rivendos ekuilibrat pas pasimit të bukur të Asanit. Pas 4 minutash shtesë, gjithcka mbyllet 2-2.

Tiranës i mjafton kapiteni Idriz Batha për të fituar 1-0 ndaj Vllaznisë. Goli i vetëm u realizua në 74’. Ishte një kros në formë gjuajtje, asnjë nga mbrojtësit shkodranë nuk e prek, madje as portieri dhe topi përfundon në rrjetë. Tirana futet sërish në lojë për titull.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN