MENU
klinika

Starton nga 1 korriku

Napoli konfirmon zyrtarisht trajnerin e ri

29.05.2021 - 15:10

Pas shkarkimit të Gennaro Gattusos, Napoli ka zgjedhur trajnerin e ri. Ai është Luciano Spalletti. Flitej prej ditësh, por vetëm sot ka ardhur konfirmimi zyrtar nga klubi i Napolit dhe presidenti Aurelio De Laurentiis, i cili i uroi mirëseardhjen Spallettit:

“Jam shumë i kënaqur t’u njoftoj se Luciano Spalletti do të jetë trajneri i Napolit, duke nisur nga 1 korriku. Mirësevjen Luciano, bashkë do të bëjmë një punë të madhe”, – shkroi De Laurentiis në rrjetet sociale.

Ish-trajneri i Interit ka qenë pushim prej dy sezonesh, por është paguar nga zikaltrit pasi kishte kontratë me ta dhe tani është gati të rikthehet, teksa me Napolin ka nënshkruar kontratë 2-vjeçare me pagë 2.5 milionë euro në sezon.

Kjo është një mundësi mjaft e mirë për Spallettin, që të rikthehet në pankinën e një skuadre cilësore, e cila edhe këtë sezon do të garojë për objektiva të rëndësishëm dhe synon të jetë në katërshen e parë të renditjes në kampionat.

Spalletti është një njohës mjaft i mirë i kampionatit italian, pasi më herët ka drejtuar me sukses Udinesen, Romën në dy periudha të ndryshme dhe Interin për dy vite me radhë. Jashtë Italisë, trajneri ka vetëm një eksperiencë pozitive në kampionatin rus, ku drejtoi skuadrën e Zenitit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Pritet zyrtarizimi i Allegrit

Juventus shkarkon Pirlon: Paç fat Andrea!