MENU
klinika

Ç'po ndodh me sulmuesin kuqezi?

Misteret rreth Brojës, nuk vjen në Shqipëri

13.11.2021 - 18:45

Situata rreth yllit të Kombëtares shqiptare, Armando Broja, është plot mistere. Nuk ka qartësi me të. Në sfidën ndaj Anglisë, sulmuesi kuqezi u la në tribunë nga trajneri Edy Reja, vendim ky i marrë vetëm pak minuta para se të startonte sfida.

Një zgjedhje e çuditshme nga ana e teknikut italian pasi Broja ishte përkushtuar plotësisht që të rikuperohej nga dëmtimi në kavilje vetëm që të ishte në fushë ndaj “3 Luanëve”, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

Sipas “SuperSport”, Armando Broja nuk ka udhëtuar drejt Shqipërisë me pjesën tjetër të Kombëtares, për sfidën që kuqezinjtë do të luajnë me Andorrën në datën 15 nëntor.

Një situatë e pakuptimtë kjo që po ndodh me Armando Brojën, pasi mbrëmjen e djeshme para startit me Anglinë, Hamdi Salihi pjesë e stafit teknik tek Edy Reja shprehej se Broja ishte rikuperuar, por ishte lënë jashtë në respekt të lojtarëve të tjerë që ishin grumbulluar më herët.

Fjalët e Salihit para ndeshjes me Anglinë: “Broja vetëm dje iu bashkua ekipit duke bërë stërvitje te lehtë. Për fat të mirë e ka mirë kaviljen dhe nuk ka problem. Por ishte zgjedhja e trajnerit meqë ka qenë larg ekipit, në respekt të lojtarëve të tjerë që u stërvitën çdo ditë. Ka vendosur që ai të rikuperojë për ndeshjen me Andorrën”.

Këto fjalë të ish-sulmuesit kuqezi bien ndesh me ndodhitë në Kombëtare, pasi Broja dhe herë tjera është lënë jashtë, pavarësisht se kundër kujt kemi luajtur apo për çfarë kemi luajtur.

Ajo që bie në sy është se Broja do të mungojë ndaj Andorrës. Për publikun mund të mos ketë shumë rëndësi se kush luan, fitorja mbetet detyrë, por mungesa e transparencës rreth gjendjes së tij vijon që prej fillimit të këtij grumbullimi. Pikërisht ndeshja me Andorrën mund të ishte një mënyrë për t’u cliruar për të me gola.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN