MENU
klinika

''Pagëzimi''

Shkruar Shqip, dokumentuar

09.11.2021 - 11:47

         Të parat fjalë të shqipes së shkruar janë nga Imzot Pal Engjëlli, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i Gjergj Kastriotit, i cili, do të hidhte në letër mesazhin e pagëzimit.

Dokumentit kishtar i kryeipeshkvit të Durrësit, Pal Engjëllit, në gjuhën kishtare të kohës, latinishte, në gjuhën shqipe si “Formula e Pagëzimit”, mban datën 8 nëntor 1462.

Dokumenti i kryeipeshkvit shqiptar imzot Pal Engjëllit, mik, këshilltar e bashkëpunëtor i afërt i Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, ruhet në bibliotekën Laurentiane të Firencës dhe për herë të parë është gjetur nga historiani rumun Nicolae Jorga më 1915. Dokumenti është fryt i vizitës baritore, që kryeipeshkvi shqiptar imzot Pal Engjëlli, bëri si bari dhe udhëheqës shpirtëror i grigjës së Zotit, nëpër Kishat famullitare e viset e kryedioqezës së Durrësit të asaj kohe.

Në mbarim të kësaj vizite baritore, kishtare dhe kombëtare, imzot Pal Engjëlli paraqet pasqyrën e gjendjes së popullit të Zotit, organizimin e Kishës, situatën e vështirë të banorëve e besimtarëve, problemet e mëdha ekonomike e rreziqet që i kanoseshin aso kohe popullsisë shqiptare dhe duke u lënë porosi, në rend të parë priftërinjve, por edhe besimtarëve (banorëve) të pagëzonin foshnjat në rast të rrezikut të vdekjes me fjalët e Formulës së ritualit kishtar të Pagëzimit…

“Unë po të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjtë”.

Së fundi, në këtë dokument, imzot Pal Engjëlli u kërkon Eprorëve të Kishës së Romës, Selisë së Shenjtë, të ndihmojnë popullsinë e varfër e të vuajtur të këtyre viseve.

Karl Gurakuqi shkruan në ”Shejzat” të vitit 1969 nr -7-9 në faqe 321 mbi Kongresin e Monastirit 1908-1968 e duke u folur rreth gjuhës shqipe ‘Prej Buzukut n’alfabetin e Monastirit, kur flet për formulën e Pagëzimit, shprehet kështu:

“Krye-epishkopi shqiptàar i Durrsit, Pàl Engjëlli( rreth vjetve 1417-1470), mik e bashkëpuntuer i Skandërbeut, njerí shum fetár, me ndiesí të forta atdhetare, pat bâ nji vizitë baritore tue u sjellë nepër të gjitha viset e Shqipnísë mesme. Gjatë kësaj vizite nepër famullít e ndryshme, qi shkojshin me jurisdikcjonin e Durrsit, krye-epishkopi pat vû re shrregullime të shumta në punët e ushtrimit të fés nga ana e famullitarvet, qi nuk ishin aq fort të përgatitun për shërbimet fetare. Kleri shqiptár, ndonsè vendas, nuk interesohej aq fort për popullin, dhe aq mâ pak për punët fetare, prandej Bariu i tyne, Pali, shkroi disá udhëzime, disá rregullore, me anën e të clave u mësonte priftënvet të famullivet se qysh lipsej të silleshin në shërbesat e kishës. Këto këshille i shkroi latinisht me tiutullin:”Constitutiones, ordinationes et statuta nga Paulus Angelus, miseratione divina Archiepiscopus Dirrachiensis et Illiricae Regionis….In Ecclesia santae Trinitatis de Emathia. Anno Dei 1462, Indicitone decima die vero lunae octava mensis Novembris”( ditën e hânë, me 8 të nândorit)”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Diplomati i parë shqiptar

Ëngjëllorët e Drishtit