E famshmja letra e dashurisë së Riçard Fejnmenit, ndër të tjera, për të ndjerën bashkëshorte, Arlinë Grinbaum (Arline Greenbaum), ofron një vështrim personal në dhimbjen shpirtërore të fizikanit, fituesit të çmimit “Nobel”, i cili u mbërthye nga misteret e vdekjes përballë një dashurie të re dhe të paharrueshme./Konica.al
“Në mendjen time e kam të vështirë të kuptoj, se çfarë do të thotë të të dashurosh ty pasi ke vdekur, por unë ende dua të të ngushëlloj dhe të kujdesem për ty – dhe dua që ti të më duash dhe të kujdesesh për mua”.
Nuk ndodh shpesh që një nga letrat më të famshme të dashurisë, të shkruara ndonjëherë, të shkruhet gjashtëmbëdhjetë muaj pasi personi ka vdekur. Në rastin e fizikanit nobelist, Riçard Fejnmen (1918-1988), ishte pikërisht koha që iu desh të kuptonte humbjen e thellë të gruas së parë dhe të dashurës së fëmijërisë, Arlinë Grinbaum, nga tuberkulozi kur ishte vetëm 25-vjeçe. Ishin takuar që në shkollë të mesme, gjatë pushimeve të verës në plazhet e Far Rockaway, ku ishte rritur Fejnmeni dhe vitin e ardhshëm ishte i bindur se donte të martohej me Arlinën, një person i mrekullueshme, që më vonë do ta quante “gruaja-fantazi” e tija.
Student i diplomuar në Prinston – institucion që e shihte martesën si një shpërqendrim fatal për kërkimet e thelluara akademike – Fejnmeni dhe Grinbaumi u fejuan zyrtarisht. Në atë periudhë, Arlinë filloi të vuante nga simptoma të përsëritura të një sëmundjeje misterioze: ethe, dhimbje dhe kokla të mëdha që shfaqeshim dhe zhdukeshin sërish. Pas frikësimit fillestar të një prognoze kanceri, Arlinë u diagnostikua me tuberkuloz limfatik në vitin 1941, mbase i kontraktuar nga qumështi i papasterizuar. Mjekët nuk i dhanë më shumë se dy vjet jetë. Fejnmeni mbaroi doktoraturën në vitin 1942 dhe, pavarësisht kundërshtimit të prindërve, çifti u martua në një ceremoni civile në Staten Island. Pa praninë e miqve apo të familjes, çifti i ri filloi udhëtimin e një martese fatkeqe, e cila nuk mundi të merrte qoftë edhe një puthje të vërtetë nga frika se mos sëmurej Fejnmeni. Fill pas ceremonisë e dërgoi në spitalin “Deborah” në Nju Xhersi dhe e vizitonte çdo fundjavë.
Në vitin 1943, J. Robert Oppenheimer e ftoi Fejnmenin t’i bashkohej ekipit të laboratorit “Los Alamos” në Nju Meksiko si pjesë e projektit top-sekret Manhatan, që do të studionte evolucionin dhe shpërthimin e improvizuar të bombës së parë atomike. Oppenheimer kishte qenë drejtor shkencor i një projekti të pasurimit të uraniumit në Prinston, në të cilin Fejnmeni kishte marrë pjesë pas sulmit në “Pearl Harbor”./Konica.al/ Ndërsa Arlinë ishte dashuria dhe shpirti binjak i Fejnmenit, fizika ishte profesioni i jetës, pra mundësia në “Los Alamos” nuk ishte një rast që mund ta lije të të ikte nga duart. “Gjithsesi, kam dëshira dhe qëllime të tjera në botë. Njëra prej tyre është të kontribuoj sa më shumë në fizikë. Kjo, në mendjen time, është edhe më e rëndësishme se dashuria ime për Arlinën”. (“Devijime krejtësisht të arsyeshme”, f. 13).
Letrat e tij u nxorën në ankand nga “Sotheby”, korrespondenca romantike midis Fejnmenit e Arlinës, së bashku me letrën njëfaqësh që Fejnmeni i shkroi muaj pas vdekjes, e cila mbeti e mbyllur dhe e panjohur deri pas vdekjes së tij në 1988, kur letra u gjet në një grumbull letrash nga një biograf (28 prill, Nju Jork).
Dyzet letrat, të shkruara gjatë kohës që Fejnmen ishte në “Los Alamos” dhe Arlinë jetonte në Sanatoriumin Presbiterian në Albuquerque, ofrojnë një vështrim të mprehtë në një situate të paqëndrueshme… […]. Fejnmeni i ri besonte, një çmenduri e vërtetë, se mund të shfrytëzonte një mundësi të shkëlqyer shkencore, duke u kujdesur edhe për bashkëshorten. Fejnmeni i shkruante thuajse çdo ditë, duke ia adresuar letrat me “Putzi”, nofka përkëdhelëse për të, si dhe duke e mbyllur çdo letër me zotimin e dashurisë së tij: “Të dua, RPF”, “Të dua, Burri”, “E di që edhe unë do të të dua përgjithmonë, RFP”, “Të dua Putzi i vogël”, “Të dua zemër”, etj. Teksa letërkëmbimi vazhdonte, nënshkrimet reflektojnë përkeqësimin e shëndetit: “Kaq gjatë zemër, mos u dorëzo”, “Vazhdo të luftosh. RPF”. Nga ana tjetër, letrat zbulojnë gjendjen e brendshme shpirtërore të laureatit të ardhshëm të çmimit “Nobel”, duke dhënë një vështrim të shkurtër të kushteve të sigurisë në “Los Alamos”, orarin e pamëshirshëm të punës etj., si dhe disa figura të rëndësishme shfaqen duke përfshirë “shefin” (Hans Bethe, kreu i Divizionit Teorik në “Los Alamos”, apo Klasu Fuchs, fizikani gjerman që doli të ishte spiun i rusëve./Konica.al
Gjithsesi, marrëveshja e tyre rezultoi të ishte e vështirë. Pas një vit ndarjeje, Fejnmeni e solli Arlinën në “Los Alamos” për t’u kujdesur nga infermieret e ushtrisë, të cilat, thjesht nuk ishin të përgatitura për t’i ofruar shërbimin që ajo kishte aq shumë nevojë në fazën e zymtë të një sëmundjeje të dhimbshme. Disa letra flasin për irritimin e Fejnmenit me Arlinën, duke iu lutur asaj që të “bëhet më e sjellshme” dhe të mos qajë, të mos ankohet dhe të qëndrojë e fortë – një mungesë takti që duket mizore, por nga ana tjetër, flet për paaftësinë e tij për ta konceptuar të gjithën si një tablo më tragjike. Fejnmen një adhurues i mendimit të arsyeshëm dhe shpjegimit shkencor, nuk mundi ta gjykonte rrugën e tij për të dalë nga e pashmangshmja; gruaja e tij po vdiste dhe ai nuk mund të bënte asgjë për këtë.
I detyruar të ndajë ndjenjat, në mënyrë që të vazhdojë të përmbushë kërkesat e punës, vetëm në fund arriti të pranojë se sa e rëndë ishte gjendja e saj. Letra e tij e dytë për Arlinën, zbulon keqardhjen e thellë që ndjeu, por kur e kuptoi këtë gjë ishte tepër vonë:
“Gruaja ime,
Si gjithmonë mbetem i avashtë. Të kam trishtuar gjithnjë, duke mos kuptuar aq shpejt sa duhet. Tani e kuptoj. Këtej e tutje do të të bëj të lumtur.
Më në fund e kuptova se sa e sëmurë je. E kuptoj se nuk është koha të të kërkoj të bësh çfarëdolloj përpjekje për të qenë më pak shqetësim për të tjerët. Nuk është koha për të kërkuar fare përpjekje prej teje. Është koha të të ngushëlloj ashtu siç meriton të ngushëllohesh, jo ashtu siç mendoja unë se të duhej të ngushëlloheshe. Ka ardhur koha t’ju dashuroj në të gjitha mënyrat që ti dëshiron…
…Do ta kuptoj e dashur, do ta kuptoj. Do të kuptoj gjithçka, sepse e di që tani je shumë e sëmurë për të shpjeguar çfarë doqoftë. Nuk kam nevojë për shpjegime. Të dua, të adhuroj, do të të shërbej pa vënë asgjë në dyshim, por me mirëkuptim.
Më vjen keq që të lashë pas dore, që nuk të sigurova mbështetjen për të cilën kishe nevojë. Tani, unë jam një njeri tek i cili mund të mbështetesh, të kesh shpresë, besim, se nuk do të të brengos në një kohë kur je kaq e sëmurë. Më shfrytëzo si të duash. Unë jam burri juaj.
Unë adhuroj një grua të madhe dhe të durueshme. Më fal për ngadalësinë time të të kuptuarit. Unë jam bashkëshorti yt. Unë të dua”.
Arlina vdiq vetëm dhjetë ditë pasi ishte shkruar letra e fundit, në 16 qershor 1945 dhe një muaj para se bomba e parë atomike të shpërthente në hapësirën djerrë të shkretëtirës së Nju Meksiko […] Vdekja e Arlinës ndodhi në një kohë presioni të jashtëzakonshëm për Fejnmenin. Ai u kthye menjëherë në punë dhe nuk qau për vdekjen e saj, derisa kaluan disa muaj, siç tregoi më vonë.
Fejnmeni është bërë një personazh më i madh se jeta, përtej historive të shkencës, i njohur për zgjuarsinë, dashurinë për tamburet e bongos, pikturën dhe kërcimtarët go-go që shkojnë në mënyrë të përsosur së bashku me kontributet e tij legjendare në fizikën teorike dhe informatikën kuantike. Karriera e jashtëzakonshme dhe e mirënjohur ka frymëzuar studentët e tij, shkencëtarët e rinj dhe të tjerë që guxojnë të ëndërrojnë të pamundurën përballë të jashtëzakonshmes. Megjithatë, njëherë e një kohë, ai ishte thjesht një djalë i ri që pati guximin të binte në dashuri me një vajzë të re që ishte mjaftueshëm e guximshme për ta dashur atë përsëri.
“E di që do të më bindësh se jam një budalla dhe se do që unë të jem i lumtur dhe nuk do të jesh pengesë për mua. Vë bast se të habit fakti që nuk kam as të dashur (përveç teje, e dashur) pas dy vitesh. Por s’më ndihmon dot e dashur, sikurse dhe unë veten – as unë nuk e kuptoj veten, sepse kam takuar shumë vajza, madje shumë të këndshme dhe nuk dua të rri vetëm – por veç dy-tri takime dhe gjithçka bëhet pluhur e hi. Vetëm ti më ke mbetur. Vetëm ti je reale.
Gruaja ime e dashur, unë të adhuroj. E dua gruan time. Gruaja ime ka vdekur.
Riçi
P.S. Të lutem më fal që nuk po e postoj këtë – por, nuk e di adresën tënde të re”./Konica.al