MENU
klinika

Fjalët e fundit të poetit të braktisur...

Frederik Rreshpja: jeta një kalvar i pafundmë

18.01.2022 - 13:42

            Dhe kemi qenë tmerrësisht të persekutuar.

Dhe jemi biblikë me biografi të mirë.

Mjerë ju që po i besuat çdo të kryqëzuari!

Dhe vetëm ne mund t’ju çojmë në parajsë.

N.q.s. s’na besoni, ne mund të marrim edhe

masa.

Injorantët e dreqit!   –

(Frederik Rreshpja: Profetët e rremë)

 

Më 25 nëntor 1992, Rreshpja jep një intervistë për gazetën “”Zëri i Rinisë”” dhe pyetjes se çfarë e gëzon dhe trishton më shumë në jetë, i përgjigjet: “Nuk e di nëse më ka mbetur ndonjë gjë në këtë botë, që të më gëzojë. (…) Kur trishtohem, shkruaj. Prandaj shkruaj shum녔

Me një jetë të vështirë prej poeti, natyrshëm i trishtuar, si dhe përndjekjes politike, Frederik Rreshpja mbeti sa i pakuptuar po kaq i pavlerësuar për kohën…  Poet lirik, eseist, publicist dhe botues shqiptar. Penda e tij është ndër më përfaqësueset të vargut shqip.

Që herët u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por, pasi e denoncuan, iu ndalua botimi. Poeti jetonte në Tiranë, i vetmuar, sepse nuk ishte i martuar. U nda nga jeta më 17 shkurt Shkodër, nga një sëmundje e zemrës, i rrethuar nga vëllëzërit dhe familja e gjërë dhe u varros më 18 shkurt 2006, në varrezat ”Rrëmaj” të kishës katolike në Shkodër.

Në gazetën “Drita” të datës 20 shkurt 2006, është botuar një artikull i Myftar Gjanajt, ku rrëfehet takimi i fundit i tij, me Fredin.

Më poshtë, janë fjalët që poeti i tha atij:

Jam verbuar fare more bir. Ty s’të kam parë, ka shumë kohë. Ku ke qenë këto kohë. Edhe numrin e telefonit tënd e kam humbur. Kam ndenjur në hotel, por tanimë s’kam më para ta paguaj. Kam një kontratë me S.B (në artikull emri përmendet i plotë) që shfrytëzon shtypshkronjën time, sipas të cilës duhet të më japë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, por ai nuk më jep asgjë, ka kohë.

Si do t’i bëhet hallit tim? Askush nuk më do tanimë. Nëna më ka vdekur, ka kohë. Si s’po vdes mor bir. Pra, unë e kam besuar shumë Zotin dhe i jam lutur të më marrë, por ai nuk po më dëgjon. E kam shkruar unë, jam i mallkuar me pavdekësi.

Kam shumë dhimbje në trup, s’kam fuqi të ec, nuk shoh fare. Kam frikë se do të më shtypi ndonjë makinë. S’kam ku të fle. Nuk më japin as pension, të paktën sa për të shtyrë ca ditë që më kanë mbetur. Më vjen turp të vdes në rrugë të madhe, se jam fis i madh, jam pasardhës i Papa Klementit. Nuk më duan mua komunistët, më lanë rrugëve, jam më keq se në burg.

A do vish me mua në Shkodër? Më ço me makinën tënde dhe do të të jap një libër me poezi në dorëshkrim që kam shkruar kohët e fundit. Merre, bëj ç’të duash me të. Botoje. Lëre, po pse ta botosh, ç’vlerë ka botimi i poezive!

Nuk më pranon askush në shtëpi. As hoteli nuk më pranon. Shkova te motrat Nënë Tereza, por edhe ato nuk më pranuan, edhe pse i premtuan në telefon Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, Z. Zyhdi Morava që të më strehonin dhe të më ushqenin. Kam tri ditë pa ngrënë, mor bir.

Pas kësaj, e di se titulli duket joreal dhe duket se në të vërtetë, Fredi nuk diti si të vdesë. Ama është e kundërta. Duke lexuar poezitë e tij, kuptojmë se kështu e plotësonte Fredi atë boshllëk që kishte: duke shkruar për të.

Në këtë rast, ai flet për të. Ai flet për vdekjen, e kërkon vdekjen dhe në fund, katër ditë pas këtij takimi, ai e gjeti vdekjen, ose vdekja e gjeti atë. Ai, vdiq ashtu si i kishte thënë së ëmës:

 

Nëna ime ti dhembje e pashuar,

Ka kaq vjet që rri nën dhe të zi,

Edhe yt bir siç duket së shpejti,

Do e lërë këtë botë, nënë, e di.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Baudelaire dhe Rreshpja

Mallkimi i të qenit poet

Albanologu, përkthyes e kritik... iku!

Lanksh, dashnori i gegnishtes së Camajt