MENU
klinika

Sonte, ora 21:00

Inter-Juventus, Superkupa vlen për prestigj e moral

12.01.2022 - 12:49

Juventus dhe Inter u përballën për herë të parë në finale të Superkupës së Italisë më 20 gusht 2005. Bardhezinjtë vinin nga një kampionat i fituar, pavarësisht 8 barazime dhe 4 humbjeve. Interit (drejtohej nga Mancini) i mjaftoi Veron në fillimin e shtesës së parë.

Nga ana tjetër, Capello u ankua për një gol të rregullt, por të anuluar të Trezegue. “Offside” nuk ekzistonte. Asisti ishte nga një i ri asokohe, i quajtur Ibrahimovic. Juve ishte një “luftanije” me dështimin në bord, e cila një vit më vonë do të rrëzohej përtokë në brigjet e “Calciopoli”.

Për Interin, fitorja ishte një kalim i stafetës. Për pesë vite radhazi, nga aty e më pas, titulli do të ishte zikaltër. Kjo është e vetmja analogji me të sotmen. Nëse Inzaghi ngre trofeun në qiell sonte, vërteton një hegjemoni, që hap një cikël.

Interi dhe Juve sonte do të tregojnë të njëjtën brishtësi të futbollit italian, me fytyra të ndryshme. Fytyra e një dinastie, që me Andrea Agnelli tentoi të përjetësonte fitoren, ndërsa tani po merret me borxhet dhe rezultatet negative.

Në anë tjetër është fytyra e një oligarkie kineze, që ka sjelljet e sjellshme të Zhangut të ri, i aftë për të bërë më të mirën në një situatë të keqe mes pasigurive financiare të babait të tij dhe fibrilacioneve të kompanisë familjare në regjimin e Xi Ping.

Vitet e fundit, Juve dhe Inter kanë shpenzuar më shumë sesa duhet. Juve e bëri atë në mënyrën më të keqe të mundshme, duke besuar se po mbrohej nën ombrellën e Ronaldos.

Interi shpenzoi mirë, me dinakërinë delikate dhe gjithmonë në prapaskenë të Giuseppe Marotta, një menaxher me të njëjtat aftësi si Moggi, por me një dozë të shtuar përulësie, që i jep atij ndjenjën e limitit. Trashëgimia sportive që ai ka ngritur në këmbë ka krahët për të fluturuar mbi një pronësi pa shumë siguri.

Ndeshja e “San Siro” do të tregojë nëse lidershipi zikaltër është hegjemonik, që hap një cikël, apo nëse shpagimi i Juventusit e mban të hapur tranzicionin. Vlera e trofeut është simbolike. Ajo vlen për shpirtin, më pak për portofolin.

Allegri, i cili me të gjitha llogaritë është kampion, shikon me një sy Superkupën dhe me një sy kampionatin e Champions League. Kjo është arsyeja pse tundohet ta kursejë “Joya”. Do të luhet me 50 për qind të tribunave me tifozë.

Në zemër të Italisë është situatë pandemike, por jo e paralizuar. Dyqind mijë pozitivë dhe treqind vdekje sfidojnë njëri-tjetrin me guximin e vaksinave dhe maturinë e kontakteve.

Ja formacionet e mundshme:

Inter (3-5-2): Handanovic; Skriniar, De Vrij, Bastoni; Dumfries, Barella, Brozovic, Calhanoglu, Perisic; Dzeko, Lautaro Martinez.

Juventus (4-3-3): Perin; De Sciglio, Rugani, Chiellini, Alex Sandro; McKennie, Locatelli, Rabiot; Kulusevski, Morata, Bernardeschi.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN