MENU
klinika

Kurset e FSHF

Jo vetëm trajnerë meshkuj, tani edhe shumë femra

09.01.2022 - 22:59

Aurora Seranaj është një tjetër ish-futbolliste e njohur e Kombëtares shqiptare të femrave që është bërë pjesë e kursit të licencimit për trajnerë UEFA A, kurs që organizohet nga FSHF-ja në bashkëpunim me UEFA që i jep mundësinë të bëhet pjesë e futbollit profesionist.

Në një intervistë për fshf.org, Seranaj vlerëson jo vetëm mundësinë që Federata i jep femrave për t’u rritur profesionalisht, por edhe mbështetjen e madhe dhe investimin në futbollin e femrave, teksa tregon edhe synimet e saj.

“Është një mundësi e mirë që Federata na jep edhe ne femrave për t’u rritur profesionalisht. Sigurisht, pasi kam dhënë edhe kontributin tim si lojtare, kam shumë dëshirë të rritem profesionalisht dhe të tregoj veten si trajnere në një nga ekipet kombëtare dhe të sfidoj veten, të rrisim nivelin, pasi shoh që Federata po jep një mbeshtetje dhe investim shumë të madh në futbollin e femrave”- shprehet ajo.

Ish-futbollistja flet edhe për kursin UEFA A, që e gjykon si shumë të rëndësishëm, sepse i jep mundësinë të trajnojë edhe jashtë vendit, duke qenë se është një licencë ndërkombëtare, ndërsa flet edhe për jetën aktuale.

“Kursi UEFA A është një kurs shumë i rëndësishëm për mua pasi më lejon të trajnoj në nivele profesionale. Është një licencë që na ndihmon edhe neve që jetojmë e punojmë jashtë, pasi është një licencë ndërkombëtare dhe mund të trajnojmë edhe ekipet e huaja.

Sapo lashë futbollin e luajtur, u kualifikova me licencën B dhe prej gjashtë vitesh trajnoj në Itali ekipet e femrave të U-19 ” – përfundon Seranaj. Nuk është habi që një ditë ajo të vijë në vendin tonë e të drejtoj këtu, pse jo, ekipin kombëtar të femrave.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN