MENU
klinika

Serie A, Java 21

Ndeshje e çmendur në “Olimpico”, Juve përmbys Romën

09.01.2022 - 21:28

Sfida mes Romës dhe Juventusit në “Olimpico” ishte një nga më të bukurat e futbollit. Shtatë gola, përmbysje, kartonë të verdhë e të kuq, penallti, madje e humbur dhe në fund 3-4 për miqtë.

Ky ishte shansi më i mirë për Romën për të hequr qafe një rival për Champions dhe deri diku bëri mirë, teksa kaloi në avantazh, ndërsa shkoi në +2 gola në pjesën e dytë, por u përmbys dhe kur pati shansin të paktën të barazonte, humb penallti, edhe pse Juve mbeti me 10 vetë.

Pas barazimit 1-1 në pjesën e parë, në pjesën e dytë janë shënuar 5 gola dhe 3 kanë qenë bardhezi. Fillimisht Roma ka shënuar dy herë në 5 minuta me Mkhyktarian dhe Pellegrini.

Më pas është përgjigjur Juventusi me Locatelli dhe Kulusevski (gol i anuluar por i akorduar nga VAR). Por, çmenduria u përmbush kur De Sciglio realizoi golin e 3-4 për bardhezinjtë! Nuk mbaroi me kaq, sepse është Roma ajo që ka shansin e barazimit 4-4 kur pasi De Ligt shkakton penallti dhe del me të kuq, Pellegrini hipnotizohet nga portieri!

Një sukses i pabesueshëm i djemve të Allegrit në një sfidë që donte të thoshte shumë për renditjen dhe për faktin se luftohet për zonën Champions dhe Atalanta gjithashtu kishte fituar. Tani, vëmendja te Superkupa e Italisë, në mesjavë, ndaj Interit.