MENU
klinika

Nga CR7, Zidane e Vinicus

“U bëra ai që doja”, rrëfimi special i Benzema

15.01.2022 - 17:56

Karim Benzema është lojtari më i mirë francez i vitit 2021, sipas “France Football”. Sulmuesi i Real Madridit, i cili u pozicionua përballë Kylian Mbappé po përjeton një periudhë të jashtëzakonshme.

Ai ka shënuar 47 gola për klubin dhe dhe kombëtaren, këtë vit. Ky është suksesi i katërt për qendërsulmuesin, fitues i këtij çmimi special edhe në vitet 2011, 2012 dhe 2014. I intervistuar nga revista franceze, Benzema ka shprehur gjithë lumturinë e tij, duke treguar mënyrën e tij të shikimit të futbollit:

“U bëra 9 që doja. Po jetoj një ëndërr, më pëlqen. Përveç statistikave dhe shënimit të më shumë golave nuk di se çfarë ka ndryshuar në futbollin tim. Unë jam ende i njëjti lojtar, këto janë gjëra që kam mundur të bëj për një kohë të gjatë, gjithmonë.

Konsumimi i futbollit nuk është më ai që ka qenë. Nuk jemi më përpara një ndeshjeje për 90 minuta. Ka rrjete sociale, mund të ndiqni çdo gjë në telefon, shikoni se kush ka shënuar. Ne nuk shqetësohemi më për atë që bën një lojtar në fushë, por vetëm kush ka shënuar. Dhe të nesërmen e konsiderojmë këtë të fundit si më të mirin.

Nuk më pëlqen shumë ky futboll, por në të ardhmen do të bëhet gjithnjë e më shumë i tillë. Është bërë një sport ku shikojmë statistikat, duhet të përshtatesh dhe unë këtë po bëj. Më pëlqen futbolli kur luhet me një prekje të vetme, Ky është futbolli që dua. Dhe, sa herë që luaj, këtë bëj dhe nuk do të ndryshoj kurrë. Është si të ngasësh një Ferrari! Loja duhet të jetë e bukur dhe elegante”.

Qendërsulmuesi francez, Benzema, flet edhe për Cristiano Ronaldon: “Është e thjeshtë. Kur luante për Real Madridin, shënonte nga 50 deri në 60 gola në vit. Pra, duhet të përshtateni me këtë realitet. Më duhej të lëvizja më shumë në fushë, të krijoja hapësira për të, sepse Ronaldo ishte më i tërhequr nga golat se unë. E ndihmova ashtu siç më ndihmoi mua. Kur u largua ndryshoi situata dhe më mbetej mua të hyja në zonë, të shënoja gola, të asistoja për shokët e tjerë”.

Benzema tregon se cilët ishin idhujt e tij, Ronaldo dhe Zidane: “Unë u rrita duke parë ‘Fenomenin’ dhe ai mund të bënte vërtet gjithçka. Më pëlqenin shpërthimet e tij. Mahnitesha nga Zidane, i cili dinte gjithmonë se kur të bënte pasimin e duhur”.

Benzema kishte rival Mbappe për lojtarin më të mirë të vitit 2021 në Francë. Të dy do të gjenden përballë njëri-tjetrit në 16-she të Ligës së Kampionëve. Duke folur për ndeshjen kundër parizienëve, Karim komentoi:

“Nëse doni të shkoni deri në fund, duhet t’i mposhtni të gjitha skuadrat. PSG është ndër favoritët, por ne nuk kemi frikë. Janë dy ndeshje futbolli, duam të kualifikohemi, të shkojmë deri në fund. Dy repartet sulmuese? Nuk është e njëjta gjë.

Sulmuesit e PSG nuk janë të së njëjtës moshë me ne, nuk kanë të njëjtën përvojë. Kushdo që e luan atë ndeshje në ekipin e vet do të jetë në formë të mirë dhe kushdo që është më i përgatitur, fiton.”

Benzema luajti përkrah lojtarëve të mëdhenj, por sot përfaqëson një pikë referimi te Real Madrid edhe për të rinjtë e shumtë. Falë eksperiencës së tij ata po rriten shumë Edhe numri 9 i “Los Blancos” është i vetëdijshëm për këtë:

“Unë jam pikë referimi në fushë. Le të marrim shembullin e Vinicius Junior. Ai mban mend vetëm fjalinë time në fushë (i tha Mendy: Mos i paso atij, po luan kunder nesh). Sidoqoftë, e di çfarë i kam dhënë atij. Sot nuk është më i njëjti lojtar.

Ka shumë kohë që bën atë që duhej të bënte. E dija, ai ishte në gjendje të jepte shumë më tepër. Kështu që me dy ose tri fjali në fushë, me dy ose tri lëvizje, i tregova gjërat, veçanërisht të fundit. Ai duhet ta marrë vetë vendimin, të japë pasimin final ose të gjuajë për të shënuar. Sot, e gjitha kjo është Vinicius Junior”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN