MENU
klinika

Pas humbjes ndaj Kastriotit

Dinamo ndahet me trajnerin, ja kush do e drejtojë

06.02.2022 - 20:30

Ashtu si pritej, Bledi Shkëmbi nuk do të jetë më trajneri i Dinamos. Fatale ka qenë humbja 2-0 e ditës së djeshme kundër Kastriotit, duke sjellë fundin e aventurës së 42-vjeçarit korçar me blutë e kryeqytetit.

“Moment i vështirë, moment i keq, po kthehen hijet e ndeshjeve të para. Duhet të reflektoj edhe unë, do flas me presidentin dhe do bëj më të mirën për klubin. Me qetësi do vendosim se çfarë do të bëjmë. Përgjegjësi kryesor jam unë, nuk mundohem të gjej fajtorë”, – deklaroi Shkëmbi pas humbjes.

Trajneri dhe presidenti Bardhi kanë zhvilluar një takim, duke mbyllur me konsensus bashkëpunimin. Shkëmbi mori drejtimin e Dinamos verën e kaluar, dhe e drejtoi ekipin në 24 ndeshje, duke regjistruar 6 fitore, 8 barazime dhe 10 humbje.

Drejtimin e ekipit do ta marrë Bledar Devolli, i cili do të ketë si ndihmës Erjon Xhafën. Dyshja do të drejtojnë “nëndetësen” për herë të parë së bashku në derbin kundër Partizanit. Dinamo luan të enjten (10 shkurt) përballjen e dytë çerekfinale ndaj “Demave”. Takimi i parë përfundoi në barazim 1-1.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN