MENU
klinika

Artikulli i “Calciomercato.com”

Kush është Armando Broja, talenti i Premier League

17.02.2022 - 19:25

Fizik robust, një shikim drithërues dhe një klas i gjithi për t’u shijuar. Këto janë disa nga virtytet e Armando Brojës, një sulmues i ditëlindjes 2001, pjesë e Southampton por në pronësi të Chelsea.

Me “Shenjtorët” ka shënuar 6 gola në 19 ndeshje duke u projektuar gjithnjë e më shumë si ylli i ri i Premier League. Është 191 cm, ka një fizik për tu admiruar, ndërsa së fundmi ka tërhequr vëmendjen e shumë klubeve, mbi të gjitha ka tërhequr vëmendjen e Arsenal, ku Arteta e ka vendosur në majën e listës së dëshirave.

Broja nuk është një emër i panjohur edhe në Serie A, në verë Udinese shfaqi një interesim konkret për këtë. Broja nuk është thjesht një sulmues zone, atij i pëlqen shumë të driblojë, është i shpejtë dhe i rrezikshëm në kundërsulme.

Talenti shqiptar ka një miks perfekt që ka bërë që gjysma e Premier League të çmendet pas tij, me këto fjalë “Calciomercato.com” nis përshkrimin për Armando Broja duke treguar shumë detaje nga jeta e tij, nga idhujt që ka në futboll deri tek ambicia për të “pushtuar” Londrën.

Broja ka lindur në Angli, nga dy prindër shqiptar, që i vogël ka shfaqur një pasion të madh për futbollin. Hapat e parë i kishte tek Burnham Juniors, një skuadër lokale në Londër për tu transferuar më pas te Tottenham, skuadër ku qëndroi për dy vite.

Pastaj në 2009 kaloi te të rinjtë e Chelsea, skuadër që ka në pronësi kartonin e tij, së fundmi firmosi deri në 2026, ndërsa më herët, përpara se të kalonte te Southampton në formë huazimi, qëndroi një vit te Vittese në Holandë, një mundësi e shkëlqyer për të shpërthyer.

Djemtë e moshës së tij nuk e kujtojnë dot Ronaldon, fenomenin, sulmuesin brazilian. Kur Ronaldo ishte pjesë e PSV, Broja nuk kishte lindur ende, por kjo ka pak rëndësi. Dvd, youtube dhe Google i krijuan mundësitë që të shijonte klasin e fenomenit, të dashurohej pas tij:

“Ka qenë një lojtar i jashtëzakonshëm, kam parë pafund ndeshje të tij, inspirohem shumë nga ai. Ishte i shpejtë, gjeni, kishte gjithçka”. Ëndrrat e Brojës nuk kanë limite, mbase jo për të shkuar kaq lart sa Fenomeni, por sigurisht ëndrra e tij është të rikthehet në shtëpi, në “Stamford Bridge” për të “pushtuar” Londrën.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN