MENU
klinika

Disa këshilla

Kur një fëmijë mund të hajë çokollatë?

01.03.2022 - 14:15

Shumë studime kanë lidhur konsumimin e kakaos dhe çokollatës me përfitimet shëndetësore. Çokollata përmban proteina, karbohidrate, yndyrna, magnez, zink, vitamina A dhe E dhe më shumë. Përveç kësaj, kakao është një burim i pasur i flavonoideve që janë antioksidantë, si ato që gjenden në çaj, rrush dhe verë.

Kur një fëmijë mund të hajë çokollatë?

Shumica e ekspertëve rekomandojnë të mos përfshini ëmbëlsira në vitin e parë të jetës së foshnjës. Megjithatë, nuk ka udhëzime specifike mjekësore për këtë gjë. Varet nga ju që të vendosni nëse do t’i jepni ose jo fëmijës çokollatë ose ëmbëlsira të tjera pas ditëlindjes së tij të parë, sipas Healthline.

Konsumimi i çokollatës në mënyrë të moderuar

Prindërit duhet të kenë parasysh edhe kaloritë që përmban çokollata. Masa është “çelësi” si për foshnjat ashtu edhe për fëmijët më të rritur. Në fund të fundit, ju nuk dëshironi që çokollata (ose ndonjë formë tjetër karamele apo ëmbëlsire) të bëhet një element kryesor i dietës ditore të foshnjës tuaj, apo jo?

Çokollatë e zezë

Preferoni çokollatën e zezë pasi është më e shëndetshme. Efektet e dobishme të kakaos dhe çokollatës së zezë i atribuohen kryesisht flavonoideve që ajo përmban, substancave me veprim të fortë antioksidues dhe anti-inflamator dhe përfitimeve të vërtetuara për shëndetin e trurit dhe kardiovaskular.

Megjithatë është e rëndësishme që gjithmonë të shikoni etiketën për të parë përmbajtjen e sheqerit dhe të kontrolloni rreptësisht sasinë që ha foshnja. Frekuenca e duhur e konsumimit të çokollatës për fëmijët është rreth 2 herë në javë dhe në një sasi prej rreth 30 gram.

Për pjesën tjetër të ditëve kur fëmijët dëshirojnë ëmbëlsirat, është mirë të sugjeroni alternativa që do t’u ofrojnë përveç kënaqësisë dhe më shumë lëndë ushqyese. Disa zgjedhje të mira nëse fëmijët duan ëmbëlsirë janë një sallatë frutash, 1 filxhan kos me fruta të thata ose një copë tortë e bërë vetë.