MENU
klinika

Projektohet sezoni i ri

Conte drejt PSG-së, yjet që merr trajneri italian

26.04.2022 - 16:47

Festa për titullin e 10-të në Ligue 1, i teti në njëmbëdhjetë vitet e fundit, sapo ka mbaruar, por në shtëpinë e Paris Saint-Germain po shikojnë që tani drejt së ardhmes. Një e ardhme që mund të ketë ngjyra të forta italiane.

Sezoni, që po shkon drejt fundit, nuk mund të konsiderohet pozitiv, duke parë eliminimin në 1/8-at e Champions League kundër Real Madrid dhe atë në 1/8-at e Kupës së Francës kundër Nice.

Kështu, duket se fati i Mauricio Pochettino-s është i shënuar, me Antonio Conte-n që duket se është i përzgjedhuri nga drejtuesit e klubit për të marrë vendin e argjentinasit sezonin e ardhshëm. E përditshmja franceze Le Parisien ka shkruar se trajneri italian është gati t’i thotë lamtumirë Premier League dhe të transferohet në Francë.

Në fillim, ai do të duhet të zgjidhë kontratën që ka me Tottenham-in deri në vitin 2023. Edhe në Angli e japin të sigurt transferimin e Conte-s në Francë, me The Sun që ka publikuar një listën përrallore të merkatos që do të bëjë trajneri italian pasi të ulet në stolin e kampionëve të Ligue 1.

Emri i parë në krye të kësaj liste duket se është ai i Marcus Rashford, i cili konsiderohet edhe nga klubi si zëvendësuesi ideal i Kylian Mbappe. Ylli i ri i Manchester United mund të formojë një treshe sulmi të frikshme me Neymar dhe Messi mbrapa krahëve të qendërsulmuesit të ri, që mund të jetë Romelu Lukaku.

Pas viti zhgënjyes të kaluar te Chelsea, sulmuesi belg mund të bashkohet përsëri me trajnerin italian dhe të riformojë me Achraf Hakimi-n dyshen e lojtarëve që kanë qenë vendimtarë për titullin e fituar nga Inter-i në vitin 2021.

Në formacionin e ëndrrave, përveç të rikonfirmuarve Donnarumma dhe Verratti, duhet të gjejë vend edhe një njohje e vjetër e Serisë A, dhe e Antonio Conte-s, si Paul Pogba. Mesfushori francez, në fakt, pritet të largohet nga Manchester United me kosto zero në fund të sezonit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


E ardhmja e sulmuesit shqiptar

Broja shok skuadre me Cristiano Ronaldon?