MENU
klinika

Analiza

Pse sanksionet nuk janë zgjedhja e duhur në këtë fazë të luftës?

20.04.2022 - 13:47

Sanksionet e shumta dhe gjithnjë e në zgjerim që janë vendosur ndaj Rusisë, në përpjekje për ta ndalur luftën e saj në Ukrainë, kanë pasur një lloj efekti mbi ekonominë ruse, dhe ndoshta edhe në politikën e brendshme në Moskë, por më pak ndikim në fushën e betejës.

Ajo që ka pasur ndikim në fushën e betejës është rezistenca e Ukrainës, me mbështetjen e SHBA-së, NATO-s dhe aleatëve. Rezistenca ukrainase e ndali raundin e parë të pushtimit rus. Presidenti rus Vladimir Putin, i tërhoqi forcat e tij nga rajoni i Kievit, jo sepse donte, por sepse u detyrua.

Disa nga forcat e tij, do të duan muaj para se të jenë sërish të afta për luftim. Kjo e ka detyruar Putinin të braktisë synimin e tij fillestar për të pushtuar Kievin, dhe për të zëvendësuar qeverinë e Zelensky, ose të paktën tani për tani.

Ndërsa Rusia i tërhoqi forcat e saj nga rrethinat e Kievit, Ukraina ka kryer kundërsulme lokale shumë agresive. Por trupat ukrainase nuk ishin në gjendje të ndërmerrnin një kundërsulm të përgjithshëm, dhe t’i sprapsnin forcat ruse në pozicionet e tyre para pushtimit, kryesisht sepse nuk kishin armë, municione dhe pajisjet e duhura për ta bërë këtë.

Tani Putin ka filluar të zbatojë Planin e tij B:luftën për ndarjen e përhershme të Ukrainës.

Për ta arritur këtë, ai po dërgon trupa shtesë në Ukrainën Lindore për t’iu bashkuar atyre që ndodhen tashmë atje, dhe që po përpiqen të përfundojnë sulmin e tij brutal mbi Mariupol. Forcat ukrainase nuk mundën që ta ndalonin këtë lëvizje, sërish sepse nuk kishin armatimin  e duhur për ta bërë këtë. Synimi i Moskës duket se është kryerja e tre sulmeve të njëkohshme: një drejt jugut në zonën Kharkiv/Izyum, një sulm i dytë në perëndim nga zona e Donbasit, të cilën rusët e pushtuan në vitin 2014, dhe një i tretë në veri, nga zona që Putin aneksoi mbi gadishullin e Krimesë.

Nëse bashkohen këto 3 fronte, Rusia mund të jetë në gjendje të rrethojë një numër të madh forcash ukrainase, gjë që do të ishte katastrofë për Ukrainën. Putin ka vendosur kushtet për Planin e tij B, pavarësisht sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë.

Nëse sulmet e reja ruse do të jenë të suksesshme me këtë plan, kjo është një çështje e hapur. Aftësitë e trupave ruse mbeten nën dyshim. Tek njësitë të rikthehen në luftë morali është i ulët. Ushtarët e rinj janë më të dobët sa i përket përgatitjes dhe përvojës.

Po vazhdojnë problemet logjistike, në një kohë që kryerja e sulmeve të integruara, të kombinuara me armë mbetet shumë e vështirë për komandantët rusë. Pavarësisht këtyre fakteve, sanksionet nuk do të jenë mekanizmi kryesor që do ta detyrojë Putinin të rikthehet në pozicionet e tij të para 24 shkurtit.

Kjo do të varet nga vullneti dhe aftësia e aleatëve për të siguruar pajisjet, armët dhe municionin e duhur shumë shpejt, në mënyrë që ukrainasit të mund t’i përdorin në luftë. Putin ishte i qartë në fjalimin e tij të fundit, kur tha se nuk ka ndërmend që të largohet nga Ukraina, përveçse nëse përmbush objektivat që kishte shpallur që në fillim.

Dhe ne duhet t’i besojmë asaj që thotë. Nëse është i suksesshëm në Planin B, ka të ngjarë që t’i rikthehet Planit A:të pushtojë dhe nënshtrojë Ukrainën. Kjo nënkupton vazhdimin e vrasjeve pa dallim të civilëve, përdorimin e urisë si një taktikë lufte, parandalimin e largimit të civilëve nga zona e luftës, dhe mizoritë e tjera që shkelin Ligjin e Konflikteve të Armatosura si dhe Ligjin Ndërkombëtar Humanitar.

Disa mund të thonë se aleatët duhet t’u japin sanksioneve më shumë kohë që të japin efektet e tyre. Por koha në luftë e ka një kosto, dhe kjo kosto është gjaku i ukrainasve të pafajshëm që vuajnë pasojat e brutalitetit rus, dhe gjaku i atyre që po luftojnë direkt në front.

Akoma më tej, kostoja potenciale dhe përfundimtare mund të jetë sovraniteti i Ukrainës.

Tek e fundit, qëllimi i Putinit është nënshtrimi i saj. Por ukrainasit janë të gatshëm të luftojnë dhe të mbrojnë veten kundër agresionit të Moskës.

Dhe ligji ndërkombëtar, por edhe solidariteti i komunitetit ndërkombëtar, i lejon aleatët që ta ndihmojnë Kievin në kauzën e tij të drejtë. Një mbështetje e tillë nuk është provokim apo përshkallëzim. Ajo është një domosdoshmëri strategjike dhe morale dhe është më se legjitime.

Kjo luftë ka të ngjarë të përfundojë me një formë negociatash. Por kur të vijë koha e tyre, qeveria Zelensky nuk duhet të negociojë për të anuluar integritetin e saj territorial dhe sovranitetin politik. Në pozita më të forta në tryezë, duhet të jetë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe jo Putin.

Për sa kohë që Ukraina është e gatshme të luftojë për të drejtën e saj të vetëvendosjes, aleatët duhet t’u japin ukrainase gjithçka që u nevojitet. Së pari për të parandaluar suksesin e sulmeve të mundshme ruse në 3 drejtimet, dhe më pas për ta lejuar qeverinë Zelensky të hidhet në kundërsulm dhe të dëbojë me forcë njësitë ruse në pozicionet e tyre para pushtimit të nisur më 24 shkurt.

Aleatët duhet ta bëjnë këtë si për të mbrojtur të drejtën e Ukrainës për të pasur sukses kundër agresionit të paligjshëm, ashtu edhe për të përforcuar një normë globale. Cilido që mendon se Putin do të ndalet në Ukrainë, nëse do të ketë sukses atje, duhet të hapë më mirë veshët:Ai po flet tashmë për “regjimin nazist” në Moldavi.

Kushdo që dyshon mbi dëshirën e Putinit për të kryer “operacione të tjera ushtarake speciale” në Evropën Qendrore, duhet të bisedojë me polakët, estonezët, lituanezët dhe letonezët, që të gjitha vende që janë nën shenjestrën e retorikës së ashpër të Putin.

Dhe ata që mendojnë se Putini nuk përbën një kërcënim për të ardhmen, duhet të dëgjojnë me kujdes kryeministret e Finlandës dhe Suedisë. Ata që e vëzhgojnë Putinin më nga afër, duket se i shohin gjërat më qartë dhe në një qasje më emergjente.

SHBA, NATO dhe aleatët e tjerë, duhet të marrin të gjitha masat për të siguruar suksesin e Ukrainës në dy fazat e ardhshme të luftës. Kjo nuk është vetëm gjëja e duhur që duhet bërë. Ajo është gjithashtu në interesin afatshkurtër dhe afatgjatë të çdo kombi.

Askush nuk duhet të gënjehet. Leva kryesore e suksesit në këtë luftë, të cilën edhe sipas presidentit amerikan Joe Biden “ne duhet ta fitojmë”, është forca ushtarake. Sanksionet janë ndihmëse në këtë proces.

Burimi: The Hill

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Paralajmërimi i ligjvënësit më të lartë të Rusisë

“‘Gjeni rubla’ nëse doni naftë, drithëra ose metale nga ne!”

Inteligjenca ukrainase: Miliarderët të dëmtuar nga sanksionet

“Oligarkët ruse po diskutojnë skenarët për të rrëzuar Putin nga pushteti”