MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Pse zgjedhjet franceze janë të rëndësishme për të gjithë botën?

19.04.2022 - 12:54

Në shoqëritë e hapura, ekziston një marrëdhënie e ngushtë midis medias së përgjegjshme dhe të pacensuruar nga njëra anë dhe demokracisë dhe shtetit ligjor nga ana tjetër.

Qytetarët e informuar siç duhet në demokraci marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për atë që bën qeveria e tyre.

Duhet shpresuar që votuesit francezë ta bëjnë këtë më 24 prill duke siguruar që presidenti aktual Emmanuel Macron të mund Marine Le Pen, kundërshtareb nacionaliste të krahut të djathtë, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të vendit.

Në të kundërt, autokracitë varen nga aftësia e tyre për të ushtruar kontroll maksimal mbi shumicën e aspekteve – politike, ekonomike, sociale dhe kulturore – të jetës së një vendi. Dhe thelbësore për këtë kontroll është përcaktimi i asaj që publiku lejohet të dijë për atë që po ndodh realisht brenda dhe jashtë shoqërisë së tyre.

Për të parandaluar rritjen e kritikave dhe trazirave, qeveritë jodemokratike duhet të ndalojnë fjalën dhe hetimin e lirë, të përhapin lajme të rreme dhe të krijojnë një narrativë që mbështet sundimin autoritar.

Në Kinë, për shembull, autoritetet e përshkruajnë shtypjen e ujgurëve myslimanë në Xinjiang si masa thjesht të kufizuara kundër terrorizmit dhe riedukim paqësor. Çdo raportim se muslimanët mbyllen në kampe, torturohen dhe ndahen nga fëmijët e tyre, ose se gratë i nënshtrohen sterilizimit të detyruar dhe abortit, mbetet “në hije”. Disa avokatë të të drejtave të njeriut argumentojnë se këto politika janë krime kundër njerëzimit dhe ndoshta edhe shembuj të gjenocidit.

Në Hong Kong, një qytet dikur i lirë, tani i vënë në pranga nga qeveria kineze, gazetarët burgosen me akuza të sajuara dhe mediat heshtin dhe mbyllen.  Ish-polici John Lee, i beson qartë se çdo vënie në dyshim e politikave të qeverisë është e barabartë me rebelim. Lee nuk di asgjë për çështjet ekonomike dhe sociale, por gjithçka që një kukull e qeverisë kineze mund t’i duhet të dijë  ështëse si t’i mbyllë njerëzit.

Po kështu, në Rusi, vitet e kontrollit shtetëror mbi mediat dhe mashtrimi i paturpshëm kanë ndihmuar në formimin e mbështetjes publike për luftën e Presidentit Vladimir Putin kundër Ukrainës, e cila po përcaktohet nga vrasjet gjakftohtë të qytetarëve dhe shkatërrimi i shtëpive të tyre dhe qyteteve të tëra.

Publikut rus i është thënë prej kohësh se Ukraina drejtohet nga neo-nazistët, se vendi përfaqëson një kërcënim të NATO-s për sigurinë e Rusisë dhe se rusishtfolësit në Ukrainë kanë qenë viktima të sulmeve gjenocidale.

Duke pasur parasysh të gjitha këto gënjeshtra, nuk është për t’u habitur që shumica e rusëve duket se mbështesin Putinin dhe aparatin e tij të Kremlinit. Pas indoktrinimit, shumë rusë ngatërrojnë të zezën dhe të bardhën.

Vende të tjera me qeveri joliberale, por jo tërësisht autoritare, kanë një qëndrim të ngjashëm për lirinë e fjalës. Në Hungari – e cila është ende anëtare e Bashkimit Evropian (BE) pavarësisht përbuzjes rutinë të kryeministrit Viktor Orbán për vlerat themelore të BE-së – media kontrollohet kryesisht nga miqtë e qeverisë. Orbán siguroi fitoren e tij të fundit në zgjedhje pjesërisht përmes përdorimit korruptiv të fondeve që qeveria e tij mori nga Brukseli.

Por Orbán nuk është i vetmi lider politik evropian në këtë kamp.

Le Pen, fushata e së cilës për presidencën franceze financohet pjesërisht nga një hua nga një bankë hungareze afër Orbanit, ka qenë prej kohësh një admiruese e Putinit dhe së fundmi i bëri thirrje Perëndimit të ndalojë furnizimin me armë në Ukrainë dhe u zotua të tërheqë Francën nga ushtria e integruar e NATO-s nëse ajo fiton.

Shkëlqimi i fushatës nuk mund të maskojë pikëpamjet ekstremiste të Le Pen dhe Putini sigurisht që duhet të shpresojë që ajo të fitojë.

Askush në Francë – apo në demokraci të tjera ku liderët nacionalistë ekstremë duket se e simpatizojnë Putinin – nuk mund të pretendojë të jetë i pasigurt për atë që po ndodh në Ukrainë ose për fatin e atyre në Rusi që e kundërshtojnë me guxim luftën.

Votuesit francezë kanë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme për të bërë një zgjedhje serioze në lidhje me qëndrimin e tyre ndaj të keqes që përfaqëson Putin.

Ata nuk kanë justifikimin e rusëve apo kinezëve, të cilëve u mohohet një mjedis i lirë mediatik.

Por pa dyshim nuk do të ketë mungesë justifikimesh nëse vendosmëria e Evropës ose e Amerikës ndaj Ukrainës thyhet, siç shpreson Putini. Për disa, ankesat ekonomike do të tejkalojnë çdo shqetësim moral. Ashtu si lakmia shpesh mposht çdo shqetësim për të drejtat e njeriut kur kemi të bëjmë me Kinën, ashtu edhe perspektiva për të paguar fatura më të larta të energjisë do të verbojë disa ndaj krimeve të Putinit.

Në thelbin e fshehtë të shumë nacionalizmit populist është një pikëpamje e ngushtë e natyrës së komunitetit, e cila mposht çdo pranim të përgjegjësisë qytetare dhe humanitare.

Arma më e fortë e Ukrainës është guximi i qytetarëve të saj.

Në pjesën tjetër të Evropës, angazhimi ynë ndaj vlerave që duhet të mbështesin demokracitë e hapura është shumë i rëndësishëm. Ky është thelbi i gjykimit që duhet të bëjnë votuesit francezë në zgjedhjet presidenciale.

Franca, e cila ka bërë kaq shumë që nga Iluminizmi Evropian për të promovuar dhe mbrojtur lirinë, barazinë dhe vëllazërinë, është përfshirë edhe një herë në një luftë për këto virtyte.

Lufta politike e Macron është gjithashtu lufta e demokracisë. Nëse qytetarët francezë bëjnë zgjedhjen e gabuar më 24 prill, ata nuk do të mund të përdorin injorancën si mbrojtje.

Chris Patten, guvernatori i fundit britanik i Hong Kongut dhe një ish-komisioner i BE-së për punët e jashtme, është kancelar i Universitetit të Oksfordit.

Burimi: Project Syndicate

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Francis Shin “Atlantic Council”

A është gati BE të ndërtojë ushtrinë e saj?