MENU
klinika

Analiza

Qëndrimi i Kinës, zhgënjim për Evropën Lindore…

23.04.2022 - 19:03

E kritikuar nga udhëheqësit perëndimorë për qëndrimin e saj neutral ndaj agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, Kina u përpoq të kufizonte dëmet e bëra me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore këtë javë, por tashmë mund të jetë tepër vonë, thanë ekspertët për Euronews.

Huo Yuzhen, përfaqësuesi special i Pekinit për Fondin e Bashkëpunimit të Investimeve Kinë-Evropë Qendrore dhe Lindore (CEEC), vizitoi tetë vende në rajon — Republikën Çeke, Sllovakinë, Hungarinë, Kroacinë, Slloveninë, Estoninë, Letoninë dhe Poloninë — këtë javë .

Me sa duket, udhëtimi ishte për të promovuar bashkëpunimin e mëtejshëm, por ai gjithashtu erdhi pasi Pekini vazhdon të pretendojë neutralitet mbi pushtimin rus të Ukrainës.

Pekini deri më tani ka refuzuar të dënojë Moskën për agresionin e saj ushtarak dhe ka riafirmuar angazhimin e tij për një marrëdhënie solide dypalëshe.

Sanksionet tani për tani janë gjithashtu jashtë loje.

Inteligjenca amerikane pretendon se Rusia i ka kërkuar Kinës ndihmë ushtarake dhe ekonomike, duke bërë që vendet perëndimore – të cilat kanë vendosur pesë raunde sanksionesh ndaj Rusisë për pushtimin – të paralajmërojnë kundër një gjëje të tillë.

Një samit BE-Kinë në fillim të këtij muaji, ku Pekini kishte shpresuar t’i përmbahej agjendës së planifikuar të paraluftës duke u fokusuar në marrëdhëniet dypalëshe dhe përpjekjet për të trajtuar ndryshimet klimatike, u fokusua tek ngjarjet në Ukrainë.

“Ky nuk është vetëm një moment përcaktues për kontinentin tonë, por është gjithashtu një moment përcaktues për marrëdhëniet tona me pjesën tjetër të botës”, tha Von der Leyen.

Ajo shtoi se si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Kina “ka një përgjegjësi shumë të veçantë” dhe se çdo mbështetje për aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftë “do të çonte në një dëm të madh reputacionin për Kinën në Evropë”.

Dëmtimi i reputacionit duket se ka filluar.

“Fajësimi i NATO-s është absolutisht i papranueshëm për pjesën më të madhe të Evropës Qendrore dhe Lindore,” tha për Euronews Mareike Ohlberg, një anëtare në programin e Azisë në Fondin Marshall Gjerman të Shteteve të Bashkuara.

“Qeveria kineze nuk duket se e kupton, ose nuk dëshiron të kuptojë, se lufta e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës shihet si një çështje ekzistenciale për shumicën e vendeve në rajon,” shtoi ajo.

“Ka pak gjëra që Kina mund të bëjë për të kompensuar humbjen e besimit në planin afatgjatë,” shpjegoi ajo.

Kina ka rritur peshën ekonomike dhe politike në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore gjatë dekadës së fundit përmes Iniciativës së saj me investime për të nxitur tregtinë dypalëshe dhe infrastrukturën lokale.

Kjo ka pasur njëfarë ndikimi në politikën e brendshme të BE-së me disa vende anëtare që kanë përfituar nga investimet, që “zbusin” kritikat ndaj Pekinit për çështje të caktuara.

Megjithatë, marrëdhënia ishte tashmë e tensionuar para luftës.

“Shumë vende të të ashtuquajturit 16+1 u ankuan për mungesën e rezultateve ekonomike dhe përparimin e ngadaltë të nismës,” shpjegoi për Euronews Tamas Matura nga Universiteti Cornivus i Budapestit.

“Roli i Kinës në pandeminë COVID-19 dhe rikthimi i mentalitetit të Luftës së Ftohtë në marrëdhëniet Lindje-Perëndim ka shkaktuar ndryshime thelbësore në politikat e Kinës të shumë vendeve të EQL dhe shumica e tyre vendosën të përforcojnë lidhjet politike dhe të sigurisë me partnerët e tyre tradicionalë si p.sh. BE dhe SHBA. I vetmi shtet anëtar i BE-së që ende i përmbahet politikës së tij pro Kinës është Hungaria”, tha ai.

Ohlberg ishte skeptike në lidhje me një përmbysje të fatit për Kinën në rajon.

Akademiku theksoi se uniteti i BE-së u forcua nga lufta në pragun e tij dhe se “si rezultat, jo vetëm pozitat e Rusisë, por edhe të Kinës do të dobësohen në rajon”.

“Duke qenë se Pekini nuk ka qenë në gjendje të ofrojë ndonjë avantazh ekonomik kuptimplotë për anëtarët e BE-së të Evropës Qendrore edhe para pandemisë dhe luftës, nuk pres ndonjë përmirësim të madh në marrëdhëniet dypalëshe”, parashikoi Matura.

Burimi: Euronews
Përktheu dhe përshtati: Konica.al