MENU
klinika

Një histori e jetuar

Dashnorët e Aushvicit

03.05.2022 - 18:24

        Askush s’do ta besonte, se do të ishte e mundur një histori dashurie në Aushvic, por David Wisnia dhe Helen Spitzer dëshmuan të kundërtën./Konica.al

Ata u takuan për herë të parë pranë një prej furrave të krematoriumit të kampit të shfarosjes Aushvic-Birkenau, ku u vranë më shumë se 1.1 milion hebrenj, Dëshmitarë të Jehovait, të burgosur lufte, kundërshtarë politikë polakë sovjetikë, ciganë dhe luftëtarë të rezistencës. Në zemër të vdekjes, ata u takuan dhe u kapën fort tek njëri-tjetri për të mbijetuar. Një histori fantastike dashurie në Aushvic e zbuluar shumë vite më vonë. Në fakt, brenda çdo historie dashurie ka diçka magjik, mirëpo ka disa, si kjo, që tregojnë se kjo ndjenjë është vërtet e aftë të shpëtojë qenien njerëzore, qoftë edhe në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Protagonistët e historisë së dashurisë së Aushvicit ishin polaku David Wisnia dhe hungarezja Helen Spitzer. Helena kishte mbërritur e para në kampin e përqendrimit dhe kishte ardhur nga Sllovakia, ku sapo kishte përfunduar studimet universitare. Ishte viti 1942 dhe statusi i çifutes e bëri atë një nga 2000 femrat beqare të burgosura. Gjendja e Helenës ishte e mjerueshme. Fillimisht punoi në prishjen e disa
ndërtesave të vogla, më pas, nga kequshqyerja, vuajti nga tifoja dhe mandej nga malaria, por gjithsesi iu desh të punonte çdo ditë. Për ta kurorëzuar këtë fatkeqësi, iu shemb sipër një oxhak i vjetër dhe i theu kurrizin. Kjo do të thoshte se ajo nuk mund ta ushtronte më këtë profesion./Konica.al

“Ajo që bëhet për dashurinë, është përtej së mirës dhe së ligës” (Fridrih Niçe)

Nazistët vërejtën se Helena ishte një grua e arsimuar. Pas aksidentit, ata menduan se mund të përfitonin prej saj në të tjera detyra. Në fund të fundit, ajo ishte një vajzë e diplomuar, fliste gjermanisht dhe kishte prirje në dizajnin grafik. Falë kësaj, po edhe dorës së fatit, iu dha një punë zyre. Si fillim ishte përgjegjëse vetëm për përgatitjen e bojës së kuqe, me të cilën vizatohej një vijë në uniformën e grave që mbërrinin në Aushvic. Më vonë, pasi fitoi besimin e rojeve, u bë përgjegjëse për regjistrimin e çdo gruaje të sapoardhur në kamp. U ngarkua edhe për organizimin e dokumenteve naziste dhe bërjen e raporteve mujore për punëtorët e kampeve të përqendrimit. Ishte një pozicion i privilegjuar dhe, falë kësaj, ajo mund të lahej shpesh, për më tepër të vishej me rroba të hijshme. Gjithsesi, Helena nuk bashkëpunoi kurrë me nazistët. Në fakt, ajo përfitoi nga pozicioni i saj për të manovruar në disa dënime me
vdekje ose transferime të tmerrshme.

Historia e David Wisnia-s ishte ndryshe. Ai mbërriti në Aushvic në fillim të vitit 1943 dhe u ngarkua të mblidhte trupat e të burgosurve që kishin gjetur vdekjen nga korrenti në gardhet e kampit. Shumë shpejt u përhap lajmi se ai ishte një këngëtar i madh dhe nazistët u interesuan për të, duke u detyruar të këndonte për ta në takimet e tyre private. Në të njëjtën kohë, ai mori një pozicion më të mirë në kamp: të dezinfektonte rrobat e të ardhurve, në një vend që të gjithë e njihnin si “Sauna”. Pikërisht aty e pa për herë të parë Helenën, një grua që nuk ngjante me asnjë grua tjetër çifute. Ajo mbante erë të mirë dhe ishte gjithmonë e rregullt. Po ashtu dukej qartazi që Helena lëvizte gjithandej si peshku në ujë dhe se nazistët kishin krijuar besim. Atëherë Davidi e pa atë si dikë nga larg. Mirëpo, një pasdite, ajo po kalonte pranë “Saunës” dhe pa e kuptuar Davidi, befas u gjendën vetëm. Kështu filloi kjo histori dashurie në Aushvic. Gjatë takimit të parë ata biseduan, megjithatë ranë dakord që të takoheshin sërish një javë më vonë. Takimi do të zhvillohej në një hapësirë ​​të vogël mes dy krematoriumeve. Shkuan që të dy, ndërsa Helena pagoi të burgosurit e tjerë me ushqim për t’i njoftuar nëse vinte ndonjë. Ky takim u përsërit vazhdimisht gjatë muajve në vijim. Kështu u konsolidua historia e dashurisë në Aushvic. Edhe pse flisnin pak dhe nuk patën kohën e duhur për ta dashuruar njëri-tjetrin, të dy premtuan se do të takoheshin përsëri në Varshavë pas luftës. Disa muaj më vonë, Davidi u transferua në një kamp tjetër, por arriti të arratisej. Helena gjithashtu, disa javë më vonë. Mirëpo, ndërsa Davidi u takua me ushtarët amerikanë
dhe shkoi me ta, Helena shkoi në Varshavë dhe e priti më kot. Që të dy përfunduan duke u martuar me njerëz të tjerë dhe duke jetuar jetë të pavarur. Davidi kishte dy fëmijë dhe disa nipër e mbesa, ndërsa Helena nuk kishte asnjë. Më në fund, ata e gjetën veten rastësisht në Shtetet e Bashkuara. Një mikeshë e përbashkët u përpoq t’i bashkonte, por ajo nuk pranoi. Davidi donte ta shihte dhe insistoi ta takonte. Më në fund, ata u takuan sërish pas 72 vitesh. Ajo ishte në shtrat, e sëmurë dhe tashmë e ve, kurse ai këndonte ende.

Në fakt, gjatë takimit, David i këndoi një këngë në hungarisht. Po ashtu, ai donte që ajo t’i hiqte një dyshim: ndoshta dikur nazistët kishin dashur ta vrisnin dhe ajo kishte ndërhyrë për ta parandaluar? Helena buzëqeshi. Ngriti njërën dorë dhe tregoi gishtat: “Pesë herë”, – qe përgjigjja e saj./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Project Syndicate

A e ka harruar bota Aushvicin?

Eli Vizel-i mbijetuari i Holokaustit

Amerikani poliglot shkruante veçse në frëngjisht