MENU
klinika

Serie A, Java 36

Fiorentina mposht Romën dhe e arrin në renditje

09.05.2022 - 22:43

Me mendjen si duket te finalja e Tiranës në Conference League, Roma nuk është treguar një ekip agresiv, teksa është mposhtur 2-0 në Firenze nga Fiorentina. Një sukses që bën të mundur skuadrën viola të arrijë pikërisht verdhekuqtë.

Pas vetëm dy minutash lojë një ndërhyrje e gabuar në limitet e zonës detyron gjyqtarin e arbitrit të konsultohet me VAR për një penallti të mundshme. Faulli ishte brenda zone dhe Fiorentina fiton menjëherë një 11-metërsh që shndërrohet në gol nga Nicolas Gonzalez.

Fiorentina shfrytëzon momentin e mirë dhe pak minuta më vonë gjen edhe golin e dytë këtë herë më Giacomo Bonaventura. Një lëvizje e mirë në zonë dhe një goditje në cepin e portës i dhanë epërsinë e dyfishtë ekipit vendas që tashmë ndodhet në situatë komode për vazhdimin e ndeshjes.

Lorenzo Pellegrini jep shenjat e para dhe provon me një goditje të bukur, por Terracciano është i vëmendshëm dhe bën një pritje shumë të bukur. Nga ana tjetër Fiorentina gjen edhe golin e tretë, sërish me Bonaventurën, por gjyqtari anulon gjithçka për një pozicion jashtë loje.

Në të dytën, Mourinho hedh menjëherë në fushë Zaniolon për të shtuar më shumë fantazinë në sulm. Roma shfaqe rrezikshëm me Tammy Abraham që i shkon fare pranë golit me një goditje me kokë, por topi përfundon jashtë kuadratit. Njësoj edhe Fiorentina pak çaste më vonë që rrezikon me Amrabat.

Rritmi i ndeshjes më pas bie ndjeshëm me të dy ekipet që duken të pafuqishëm për të provuar diçka më shumë. Maleh për Fiorentinën e El Shaarawy për Romën provojnë të zgjojë disi ekipet, por pa sukses. Sfida mbyllet me rezultatin 2-0 duke e bërë akoma edhe më të nxehtë luftën për kupat europiane.