MENU
klinika

Analiza

Po Bashkimi Europian, a është në luftë me Putinin?

03.05.2022 - 19:30

Të ndihmosh Ukrainën kundër agresorit është një detyrë për të gjithë evropianët, por ekziston një kufi midis ndihmës për Kievin dhe nisjes së kundër Vladimir Putin, i cili ka armë bërthamore.

Takimi i Ramstein në fund të prillit shënoi një kthesë në qasjen perëndimore kundrejt luftës: ne menduam se Ukraina do të humbiste në vetëm pak ditë. Por Ukraina po lufton heroikisht dhe ndihma ushtarake perëndimore po rezulton efektive. Anasjelltas, ushtria ruse u tregua më pak e fuqishme se sa mendonim.

Në Ramstein, ideja se Ukraina mund ta fitonte luftën, befas u bë e zakonshme. Pas kësaj, SHBA vendosi të dërgonte sasi të mëdha armësh në Kiev.

Por çfarë do të thotë “fitimi i luftës”?

Ndoshta ka pikëpamje të ndryshme. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se dëshironte ta shihte Rusinë të dobësuar dhe të paaftë për t’u rikuperuar shpejt, kështu që nuk do të tundohej më për “aventura të ngjashme ushtarake”.

Ekzistojnë gjithashtu pikëpamje të ndryshme nëse lufta mund të shtrihet në territorin rus. Sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se, sipas mendimit të tij, është vendimi i Ukrainës nëse do të godasë apo jo objektivat përtej kufirit.

Ndoshta objektivi i SHBA-së është një luftë që do të “gjymtonte” Rusinë, ose ndoshta është një ndryshim i regjimit.

Sido që të jetë, dhe nëse është e qëllimshme apo jo, lufta po pengon gjithashtu BE-në.

Është e qartë se objektivi i BE-së duhet të jetë paqja.

Por për një marrëveshje paqeje, ka dy palë kryesore – në këtë rast, Volodymyr Zelensky i Ukrainës dhe Putin i Rusisë.

Të tjerët janë të një rëndësie dytësore.

Në fillim të konfliktit, Zelenskyy ishte gati të njihte Krimenë si ruse, të hiqte dorë nga objektivi i anëtarësimit në NATO dhe të kërkonte marrëveshje për Donetsk dhe Luhansk.

Sot ndihmësit e Zelenskyy-t thonë se duan një proces të llojit të Nurembergut për Rusinë pas luftës, që nënkupton një kapitullim të pamundur të Moskës. Kjo nuk mund të jetë një bazë për negociata.

Pra, pyetja është: Nëse Uashingtoni dhe Kievi janë në luftë me Putinin, a jemi ne, evropianët në këtë luftë?

Ose, për ta thënë ndryshe, a e kuptojmë se çfarë kemi nisur?

A e kuptojmë rrezikun e një opsioni bërthamor? Doktrina e Rusisë lejon përdorimin e armëve bërthamore nëse ekzistenca e Rusisë është në rrezik.

Kush e di se kur Putini do të vendosë se pragu është kapërcyer?

Ekspertët besojnë se më 9 maj, Putini do të njoftojë se kjo luftë është, në fakt, një luftë e NATO-s kundër Rusisë. Në një skenar të tillë, ne do të bëjmë një hap të madh drejt luftës bërthamore.

Vetëm evropianët kanë potencialin real për të ndërmjetësuar në bisedimet e paqes.

Lavrov përmendi se heqja e sanksioneve duhet të jetë pjesë e një marrëveshjeje të tillë, dhe Recep Tayyip Erdoğan i Turqisë nuk është negociatori i duhur, pavarësisht ambicieve të tij.

Vetëm liderët evropianë, dhe veçanërisht Emmanuel Macron i Francës, mund t’ia ndryshojnë mendjen Putinit, edhe nëse bisedimet e zhvilluara deri më tani kanë dështuar.

Ndërsa SHBA furnizon me armë të rënda dhe i siguron inteligjencë Kievit, BE-ja duhet të ketë një qasje krejtësisht të ndryshme.

BE-ja duhet të përqendrohet në përpjekjet për të trajtuar katastrofën humanitare, për të ndaluar luftën dhe për të arritur një marrëveshje paqeje.

Kjo përpjekje duhet të vazhdojë në lidhje me furnizimin e Kievit me armë nga një numër vendesh të BE-së. Por duhet të ketë një kusht të rëndësishëm: gatishmërinë e udhëheqjes ukrainase për t’u përfshirë në negociatat e paqes.

Ambicia e Ukrainës për t’u bashkuar me BE-në është e vërtetë dhe do të ishte një pasuri e madhe për BE-në. Falë kësaj ambicie, BE-ja zotëron mjetet për të ndaluar luftën dhe për të shmangur rrezikun e një lufte bërthamore.

Burimi: EurActiv

Përktheu dhe përshtati: Konica.al