MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Putini po mundohet të justifikojë të pajustifikueshmen!

11.05.2022 - 09:25

Kur Vladimir Putin nisi sulmin në Kiev në shkurt, ai kishte menduar se festimet vjetore të majit të fitores sovjetike mbi nazizmin do të bashkoheshin me një triumf më bashkëkohor.

Gjërat nuk shkuan kështu.

Problemet e  ushtrisë ruse bënë që parada e fuqisë ushtarake të Ditës së Fitores të së hënës ishte më e vogël se zakonisht.

Flypast-i i zakonshëm, i cili për nder të luftës aktuale do të kishte një formacion Z të luftëtarëve MiG-29, u anulua papritur.

Në disa qytete ruse, simbolet tradicionale ishin përshtatur për të vendosur vitet 1945 dhe 2022 krah për krah.

Por nuk ka pasur fitore në Ukrainë – nga ku Presidenti Volodymyr Zelenskiy mbajti fjalimin e tij të Ditës së Fitores.

Dështimi i strategjisë së Kremlinit dhe poshtërimi i shkaktuar ndaj forcave ruse, çuan në spekulime se Putin do të përdorte fjalimin e tij tradicional për ta përshkallëzuar më tej luftën.

Fatmirësisht, kjo nuk ndodhi. Nuk kishte paralajmërime të reja për perëndimin në lidhje me aftësitë bërthamore të Moskës. As fjalimi nuk përmbante një deklaratë formale të luftës, e cila do të kishte lejuar mobilizimin e forcave rezervë.

Vladimir Putin speech: What Russia's President said about Ukraine on Victory Day, and what he actually meant

Në vend të kësaj, Putin përdori rastin për të forcuar frontin e brendshëm, i cili deri më tani është mbajtur përmes një kombinimi të represionit dhe propagandës.

Fjalimi u përdor për të justifikuar pushtimin e ngecur, të paligjshëm dhe brutal.

Forcat e mbështetura nga Amerika dhe me lidhje historike me nazistët, pohoi ai, po planifikonin të terrorizonin Donbasin dhe të pushtonin Krimenë. Ushtarët rusë po mbronin territorin historik që i përkiste atdheut, “duke luftuar për të njëjtën gjë që bënin baballarët dhe gjyshërit e tyre”.

Të gjitha janë jashtëzakonisht të parashikueshme.

Por, fjalimi i Putinit përmendi edhe viktimat ruse të pësuara në konfliktin që ai provokoi në mënyrë të njëanshme.

Që nga marsi, Moska nuk ka dhënë asnjë informacion për numrin e trupave të vrarë, të plagosur ose të kapur në Ukrainë – por shifra ka të ngjarë të shkojë në dhjetëra mijëra. Duke pranuar “humbjen e pashlyeshme për të afërmit dhe miqtë”, Putin njoftoi se do të jepet mbështetje për fëmijët e të vdekurve dhe për të plagosurit.

Ky gjest mund të sinjalizojë një preokupim të ri gjatë një lufte që ishte menduar të përfundonte deri më tani.

Teksa konflikti zgjatet, efekti i sanksioneve pritet të tkurrë ekonominë ruse deri në 12% deri në fund të vitit dhe Bashkimi Evropian po punon drejt marrëveshjes për një embargo të naftës.

Në atdhe, deri më tani, metodat e praktikuara autoritare dhe propaganda e pamëshirshme në mediat shtetërore kanë bërë punën e tyre.

Sipas një sondazhi të kryer nga gazeta Novaya Gazeta – e cila ka pezulluar botimin në Rusi në shenjë proteste ndaj censurës – Putin gëzon vlerësime patriotike mbi 80%.

Por i njëjti sondazh ka treguar se njerëzit ndiejnë ankth dhe shqetësim në lidhje me luftën e tij.

Ky shqetësim nuk është ende një problem për regjimin e Putinit.

Por teksa vështirësitë ekonomike gradualisht thellohen dhe një konflikt i armatosur zvarritet pa fund në horizont, ai mund të bëhet i tillë.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al