MENU
klinika

“Kurir”: Gafë skandaloze

FIFA “provokon” serbët, Xhaka krah kapitenit Tadic

15.06.2022 - 16:42

Ka mjaftuar një foto e FIFA-s për Kupën e Botës me 32 kapitenët e kombëtareve pjesëmarrëse për të sjellë tjetër furtunë në mediat serbe. Në këtë foto shihet kapiteni i Zvicrës, Xhaka, krahas atij serb Tadic.

“Kurir” e quan gafë skandaloze, duke shkruar: “Çfarë gafe e FIFA-s! Federata Botërore e Futbollit ka publikuar në rrjetet sociale një karikaturë promovuese me kapitenët e kombëtareve pjesëmarrëse në Botërorin e Katarit.

Dhe e gjithë kjo nuk do të ishte aq e pazakontë, nëse FIFA nuk do të kishte bërë një gabim të madh. Nuk e dimë rastësisht apo qëllimisht, por sigurisht që fotoja ka shkaktuar shumë reagime. Në foto shihen të përqafuar kapitenët e Serbisë dhe Zvicrës, Dushan Tadic dhe Granit Xhaka.

Po të kemi parasysh faktin se Xhaka është me kombësi shqiptare, i njohur për publikun serb për provokime në fushë, duke festuar gola dhe bërë simbolet e shqiponjës me dy krerë, mund të pyesim veten se çfarë mesazhi do të përçojë FIFA përmes artistit karikaturist të kësaj fotoje?!”

Kujtojmë se Granit Xhaka është kapiten i Zvicrës, kombëtare me të cilën do të sfidojë Serbinë në Grupin G të Botërorit të Katarit, që do të nisë në muajin nëntor të këtij viti. Me siguri, festimi me “shqiponjë” i Xhakës dhe Shaqirit, që kishin shënuar golat fitimtarë të Zvicrës ndaj Serbisë në “Botërorin 2018”, iu ka ngelur si “gjembi në mish” mediave në Beograd.