MENU
klinika

Atletja shqiptare

Luiza Gega shkëlqen sërish, rekord në Holandë

06.06.2022 - 18:36

Luiza Gega vazhdon të mahnisë me paraqitjet e saj, teksa për vite me radhe është garanci absolute dhe ambasadorja më e mirë e Shqipërisë në çdo event ndërkombëtar ku merr pjesë.

Pasi i shpëtoi për pak thyerja e rekordit kombëtar në 3000 metra me pengesa në Mançester disa ditë më parë, Gega sot ka bërë një paraqitje fenomenale në mitingun “FBK Games 2022” që po mbahet në Hengelo të Holandës.

Atletja shqiptare ka tejkaluar veten, teksa ka shënuar një rekord të ri kombëtar në garën e 3000 metrave me pengesa. Atletja kuqezi e ndali kohën në 9:15.48 duke thyer me rreth 4.5 sekonda rekordin e mëparshëm që kishte vendosur po vetë në vitin 2019 (9:19.93 në Botërorin e Dohas).

Rezultati 9:15.48 i dha vendin e dytë në garë Luizës, e cila u dha leksion edhe kenianeve elitare të cilat i kishte konkurrente në eventin e mbajtur në Holandë.

Ndërkohë gara u fitua nga ugandezja Peruth Chemutai me kohë 9:14.00, e cila është edhe kampione në olimpiadën e fundit që u mbajt në Tokio. Kështu Luiza Gega konfirmon edhe një herë tjetër momentin e saj të artë, teksa mbetet e vetmja sportiste e atletikës shqiptare që për vite me radhë arrin që të jetë brenda normës Botërore dhe Europiane.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Luiza Gega (@luizagega)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN