“Ramiz Alia nuk mund të kishte fuqi ta formonte këtë parti, edhe për një arsye tjetër. Ai kishte ende nostalgji për Partinë e Punës në gjirin e së cilës ishte rritur me ngrohtësi.
Ndërsa unë nuk mund ta quaj veten si gur të parë në themelet e formimit të PS-së, por në qoftëse flasim realisht dhe nëqoftëse heqim frikën e mendjemadhësisë, e them me bindje se kam luajtur një nga rolet vendimtarë për lindjen e saj.
Dihet se unë isha i pari që u përpoqa në Kongresin e 10-të të PPSH të bëja analizën e gabimeve të Enver Hoxhës dhe të vijës shumëvjeçare të Partisë së Punës; dihet edhe reagimi tepër nervoz i pjesës dërrmuese të delegatëve të Kongresit.
Në qoftë se unë do të largohesha nga partia pas diskutimit tim, ma merr mendja se gati të gjithë anëtarët e rinj të partisë do të vinin pas meje. Këtë unë nuk mund ta bëja, pasi isha i ndërgjegjshëm se do ta dëmtoja partinë e porsalindur.
Partia nuk varet nga një njeri, kjo dihet. Por ka situata që individi luan rol të madh në fatet e një partie. Me diskutimin tim filloi edhe qëndrimi ndaj Enver Hoxhës.
U përkraha në çaste të vështira edhe nga miku im Moikom Zeqo, intelektual i vërtetë, nga miku tjetër i vjetër, Qamil Buxheli, satirik dhe humorist nga më të dëgjuarit e vendit, nga Petro Lalaj, komunist gjysmëshekullor nga më të ndershmit.
Gjithashtu, nuk do t’i harroj kurrë gjithë ata ish-komunistë të rinj nga rrethet e Tiranës, Kavajës, Lezhës, të cilët m’u hodhën në krahë,kur po ikja nga salla e Kongresit.
Madje duhet thënë se Partinë Socialiste e formuan intelektualët nga më të shquarit e vendit, të rinj dhe të pjekur, që nga Fatos Nano, intelektual i shquar dhe figurë politike e lartë, prof. Servet Pëllumbi, dok. Maqo Lakrori, dok. Et’hem Ruka, dok. Sabit Brojka, të rinjtë Ndre Legisi, Ilir Meta, Musa Ulqini, Luan Shahollari, Gramoz Ruçi, Namik Dokle dhe deri tek Ermelinda Meksi, Arta Dade, dok.Xhevat Lloshi e shumë e shumë të tjerë, që ndryshojnë si nata me ditën nga mehmurët e dikurshëm.
Në këtë rrjedhë të kontributit të këtyre burrave dhe grave hyn dhe kontributi im modest. Të gjitha këto i thashë se jam dëshmitar i kësaj historie dhe nuk dua që të tjerët që janë tani, apo që do të vijnë më pas, t’i shtrëmbërojnë. Kam vënë re dhe nuk më ka ardhur mirë që disa socialistë me përgjegjësira ose të thjeshtë, kur flasin për Kongresin e 10-të të partisë ose tërthorazi ia vënë vetes kontributin ose heshtin për të vërtetën.
Asnjëherë nuk kanë thënë një fjalë për diskutimin tim. Pikërisht ata njerëz që, kur unë diskutova, nuk gjenin vrimë ku të futeshin ose nuk ishin fare të pranishëm, tani rrahin gjokset se ata janë themeluesit e partisë.“
Tetor, 1994