MENU
klinika

“Njihej vetëm nga botanistët”

Shqipëria i kthen sytë nga kultivimi i tartufit

28.08.2022 - 13:32

Të dielën e kaluar, Rami Kebej dhe katër qentë e tij e kaluan ditën për gjueti në malin e Dajtit. Kebej është një lloj i veçantë gjuetari – ai gjurmon rrënjët e pemëve të larta në kërkim të zhardhokëve të tartufit, një kërpudhë e çmuar e kuzhinës elitare.

“Kërkoj tartufin nëpër Shqipëri që nga viti 2009. Kur arrin ta gjesh një produkt të tillë, mund ta shesësh me çmime mjaft të larta, në varësi të llojit”, tha Kebej për BIRN.

Tartufi është pjesa frutore e kërpudhave të llojit Tuber, i njohur veçanërisht në traditën e kuzhinës franceze dhe asaj italiane. Në Shqipëri, tartufi njohu përdorim të vonë, ndërsa vlera e tij në tregun e kuzhinës iu prezantua vendasve nga “gjuetarët” italianë.

Edhe Kebej i ka hedhur hapat e parë si kërkues në shoqërinë e një “tartufari” italian, me të cilin thotë se ka eksploruar pyjet e Ballkanit e deri në Poloni në vitet 2000. Kebej thotë se asokohe dinte shumë pak “për kërpudhën e çuditshme me vlera të mëdha ushqyese dhe financiare”.

Shqipëria ka aktualisht një numër të kufizuar kërkuesish të ligjshëm si dhe mungesë legjislacioni për mbrojtjen e tartufit dhe mjedisit përreth tij. E megjithatë, sipërmarrje të caktuara po testojnë kultivimin e tij.

“Deri në vitin 1990, tartufi në Shqipëri njihej vetëm nga botanistët, pasi vendi ynë nuk e kishte traditën e përdorimit të tij në kuzhinë,” i tha BIRN Sokol Prroja, profesionist i pyjeve dhe pronar i një biznesi të bimëve medicinale në Durrës.

Sipas tij, investimi për kërkimin individual të tartufit është i madh, pasi vetëm një qen i trajnuar kushton nga 7-10 mijë euro.

Prroja tregon se tartufi gjendet më së shumti në pyjet ku kombinohet ahu me lisin apo arra me dushqet – tipike kjo për pyjet e Burrelit apo Labinot Malit në Librazhd. Ai tha gjithashtu se një grup i përbashkët studiuesish dhe biznesi po punon për të analizuar strukturën e tokës, aty ku mund të krijohen zonat e para të kultivimit në Shqipëri.

“…po punojnë për krijimin e parcelave, ku me mbështetjen e kolegëve nga Italia të mundësojnë injektimin me spore për varietete të ndryshme të tartufit,” tha Prroja, duke shtuar se kjo do ndikonte në mbrojtjen e tokës dhe shtimin e fondit të pyjeve.

Rafaele Tonon, një mercolog dhe shef kuzhine nga Italia, që jeton e punon në Tiranë prej 30 vitesh i tha BIRN se tartufi po fitonte gjithnjë e më shumë popullaritet edhe në kuzhinë. Sipas tij, mjeshtëria e gatimit lidhet edhe me përgatitjen e salcave të tartufit që mund të rezistojnë në frigorifer deri në 6 muaj.

“Shefat me kapelen e bardhë e quajnë tartufin “diamantin e kuzhinës”, tha Tonon.

Ai shtoi gjithashtu se falë interesit të klientelës, pjatat me përbërësit e tartufit po kthehen në atraksionin kryesor të restoranteve në kryeqytet.

Pavarësisht rritjes së popullaritetit në Tiranë, Kebej thotë se produktet e tartufit i shet kryesisht jashtë vendit, jo pa vështirësi.

“Megjithëse kam licensë për eksportin e tartufit, në doganën shqiptare na ndalojnë dhe na vonojnë, pasi nuk e njohin këtë produkt, ndërsa pala italiane për arsye se nuk jemi vend i Bashkimit Evropian,” tha ai.

Sezoni i “gjuetisë” për tartufin e bardhë fillon më 1 tetor, ndërsa tartufi bianchetto dhe tartufi i zi gjenden më së shumti mes muajve mars dhe maj.

“Tartufin duket ta mbledhësh kur ai është pjekur dhe kur krimbat mund ta shpërndajnë farën,” shton ai.

Kebej e përshkruan punën e tij si një proces vetmitar dhe ndonjëherë të rrezikshëm për shkak të gjarpërinjve dhe kafshëve në pyll.

“Në gjuetinë e tartufit shkohet vetëm i shoqëruar nga zagarët dhe përveç veshjes që të ruan nga nëpërkat, duhet të mbash me vete edhe setin farmaceutik për rreziqet që vijnë nga gjarpërinjtë helmues, e ndonjëherë edhe nga arinjtë,” përfundon Kebej. /BIRN