MENU
klinika

"Për ne e rëndësishme puna"

Zgjedhjet e 2023/ Veliaj: Do ta nis fushatën kur PS të ma japë besimin…

11.08.2022 - 10:15

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ka qenë mëngjesin e sotëm i ftuar në emisionin “Koha për t’u zgjuar” me gazetarin Bashkim Hoxha në News24. Veliaj foli për projektet, por edhe për kundërshtarët politikë.

Ai tha se Berisha dhe Meta flasin me gjuhën e 1990 dhe se janë tmerr në sondazhe. Sa i përket zgjedhjeve lokale të vitit të ardhshëm, Veliaj tha se debati do jetë kush ka bërë punë dhe kush ka bërë llafe.

“Me shkollat e reja një lehtësim për Tiranën. Hapim dhe 8 çerdhe dhe kopshte këtë vit, 46 kopshte dhe 40 çerdhe. Totali i shkollave mbi 320 institucione arsimore. E thënë kështu duket si statistikë, por kur e mendon që për çdo shkollë ka pasur një sherr…
Të habitesh që në 2020 Berisha dhe Meta të flasin me gjuhën e 1990 mua nuk më habit, vetëm atë dinë të bëjnë. Njëri ka probleme se ka dalë spiun, njëri ka probleme nga e kaluara. Kur ti del në mes të gushtit dhe flet me gjuhë kafshërore, do të thotë që një hall ke.
Ajo shprehja kërcen prifti nga belaja për këta ka dalë. Kur shikon që çohen në pikë të mëngjesit të vijnë nga Lalëzi në Tiranë ti kupton që ata e kanë sport. Sport me faull, me stërkëmbësha. Kanë dhe një shqetësim se janë tmerr në sondazhe. Njerëzit mund të kenë shqetësime për Tiranën, mund të kem dhe unë, por ata nuk kanë një CV për Shqipërinë.
E vetmja strategji që kanë është, pengo, shaj, ço vendin në tilt. Koha kur njerëzit jepnin jetën për partinë ka cof. Sot shikojnë çfarë ka bërë për familjen. Parti kryesore sot është familje. Që të japësh jetën për Sali Berishën dhe Ilir Metën do të thotë që të kesh një kuotë inteligjence shumë nën mesatare”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se vetëm këtë vit do të hapen 12 shkolla.

“Vetëm këtë vit unë po hap 12 shkolla. Pasi të iki nga këtu do iki të shoh rrugën e Vaqarrit, do shkoj dhe te liqeni të shoh si po ecin përgatitjet për Sunny Hill, do shkoj të shoh dhe fushën e atletikës së Luiza Gegës, do shkoj dhe në Farkë të shoh tregun ushqimor sepse duam të heqim monopolin e privatit të shumicës.
Në qoftë se këta më thonë që i kanë bërë më mirë, atëherë do kishim një garë me ide.
Këta nuk dinë ende ndarjen administrative të territorit, le më tjetër. Nga ne gjuhë urrejtje, të kap të çaj, të thyej në mes, nuk ka. mezi pres t’i shoh të gjithë kandidatët dhe nga opozita. Të kemi një garë dinjitoze”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës.

Lidhur me garën e vitit të ardhshëm, Veliaj tha se “unë do respektoj atë që kam bërë në çdo fushatë. Kur PS të ma japë besimin atëherë do filloj fushatën permanente”.
“Meta thotë shiko në shtator, po ti ke qenë President i Republikës pse nuk i ke thënë. I kanë partitë si dyqane. Këta njerëz kanë borxhe, taksë morale ndaj publikut shqiptar.
Ndërsa Shqipëria hapet dhe këta njerëz sa vjen e izolohen është komplet humbje kohe.
Ideja që unë kam ne të tregojmë me ide punët tona. Unë mund ta lë sot Bashkinë e Tiranës, Sami Frashëri do jetë gjithmonë aty, liqeni aty, Pazari i Ri aty. Besoj që këtu jemi në betejë për kohën, ata që duan të kapin kohën e humbur dhe ata që duan ta humbasin. Në këtë fushatë për mua koha është e rëndësishme. Jemi 256 ditë para zgjedhjeve, nuk matet me javë, matet me ditë”, tha Veliaj.

Sa i përket krizës ekonomike, Veliaj deklar i se është i rëndësishëm stabiliteti.
“Kam folur me kolegë të mi në Britani, në Itali, në Francë, të gjithë thonë ju se keni idenë sa i rëndësishëm është stabiliteti. Stabiliteti te ne që nuk i kemi numrat, jo më ju që i keni numrat. Ne nuk e kemi luksin të na marrë koka erë, po ndodhin gjëra të çuditshme në botë”, tha Veliaj.