MENU
klinika

Analiza e The Washington Post

21 vjet pas 11 shtatorit, lufta nuk ka mbaruar për të gjithë…

10.09.2022 - 17:54

Njëzet e një vjet pas shkatërrimit të kullave të Qendrës Botërore të Tregtisë në Lower Manhattan, mund të pyesim nëse Shtetet e Bashkuara e kanë mësuar ende mësimin kryesor të asaj dite tronditëse.

Është një mësim i mirënjohur për strategët ushtarakë, por i vështirë për një komb me aleatë në kufijtë e tij dhe oqeanet në katër anët.

Dita që njihet si 11 shtatori filloi një luftë vetëm për ne; për armikun lufta kishte nisur prej vitesh. Ushtria e vogël e Osama bin Ladenit kishte goditur ambasadat amerikane në Afrikë, bombardoi një anije detare amerikane në Aden Harbor në Jemen, madje sinjalizoi synimet e saj për të shkatërruar kullat binjake duke vendosur një kamion me bombë në një garazh të Qendrës Botërore të Tregtisë në 1993.

Guximi i 11 shtatorit – duke përdorur 19 luftëtarë të Al-Kaedës, jetë civile dhe karburant avioni për të kryer një sulm masiv shkatërrues – më në fund i bindi amerikanët se ishim në luftë.

Dhe për 20 vitet e ardhshme, ne luftuam derisa u lodhëm nga ideja.

Çdo president donte t’i jepte fund. “Misioni u krye”, deklaroi një baner që në vitin 2003. Barack Obama premtoi se do t’i mbyllte gjërat. Donald Trump gjithashtu premtoi t’i mbyllte gjërat dhe negocioi tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani. Presidenti Biden e përfundoi tërheqjen në mënyrë të shëmtuar pikërisht në kohën e 20-vjetorit të 11 shtatorit.

Por ne nuk kontrollojmë më shumë fundin e luftës sesa kontrolluam fillimin.

Me vrasjen e liderit të al-Kaedës, Ayman al-Zawahiri në korrik, nga sulmet me dron, komandantët e njohur të armikut të 11 shtatorit janë kapur ose kanë vdekur të gjithë. Megjithatë, armiku është shndërruar dhe ka migruar.

Lufta nuk ka përfunduar për Shtetin Islamik apo për grupe të tjera të dhunshme xhihadiste në mbarë botën. 

Për më tepër, është e pamundur të thuhet se kur, apo edhe si, mund të përfundojë. Këto 21 vite që nga 11 shtatori kanë ndryshuar taktikën dhe pamjen e luftës, dhe jo domosdoshmërisht për mirë.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të trajnojnë dhe pajisin qindra mijëra trupa konvencionale dhe t’i armatosin me armët më të fundit, shumica e luftimeve tona kundër terroristëve bëhet nga ekipe të vogla komandosh shumë të aftë – Navy SEAL, Army Rangers etj. nga Forcat e Operacioneve Speciale (SOF).

Rrallëherë shohim apo dëgjojmë për punën e tyre. Ata luftojnë kryesisht natën. Ata punojnë për të dobësuar rrjetet terroriste dhe për të parandaluar sulmet. Shpesh kjo përfshin luftime nga afër dhe vrasje në vende ku informacioni mund të jetë jo i besueshëm dhe identitetet mund të ngatërrohen.

11 shtatori ishte një provë. Librat e dy dekadave të fundit tregojnë se si dështoi Amerika.

Gradualisht po mësojmë për traumën dhe dëmin që kjo vepër mund të shkaktojë edhe tek luftëtarët më të fortë, më të stërvitur. Mendja dhe shpirti i njeriut nuk janë krijuar për vite të pafundme rrezikimi dhe ushtrimi të dhunë.

Për shkak se ne nuk mund të shohim se çfarë bëjnë këta luftëtarë në emrin tonë, ne bëjmë karikatura kulturore – Rambos dhe avatarë të video-lojërave  Por ata nuk janë supermena të filmave vizatimorë; ata janë qenie njerëzore – shumë të aftë dhe të disiplinuar, por ende njerëz.

Dhe ata po mbajnë peshë të jashtëzakonshme në një luftë pa kufij të qartë: fizik, kohor apo moral.

Një luftë që do të përfundojë vetëm kur armiku të pranojë t’i japë fund.

Siç dokumentoi gazetari Dan Taberski në podkastin e tij të vitit 2021 “The Line”, kufiri midis luftës dhe jo-luftës, luftëtarëve dhe joluftëtarëve, dhunës së lejueshme dhe të palejueshme është i vështirë për tu dalluar..

Megjithëse publiku amerikan është i lodhur nga lufta dhe udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara preferojnë të veprojnë sikur gjithçka ka mbaruar, luftëtarët amerikanë duhet të vazhdojnë të luftojnë sepse armiqtë tanë kanë ende ndikim.

Ndërsa një tjetër përvjetor i 11 shtatorit vjen e shkon, ne u detyrohemi atyre luftëtarëve t’i kujtojmë ata dhe të nderojmë sakrificat e tyre të trupit dhe shpirtit.

David Von Drehle shkruan një kolonë dy herë në javë për The Post. Ai më parë ka qenë kryeredaktor i revistës Time dhe është autor i katër librave.

Burimi: The Washington Post

Përktheu dhe përshtati: Konica.al