MENU
klinika

Nga Ben Andoni

Nostalgjia e Tiranës së “Stefos”, përmes një rrugice

01.10.2022 - 12:59

Nga Ben Andoni

Cilido që bën një sprovë të sjellë një aspekt të nostalgjisë do ketë përballë nihilistët. Dhe, në fakt, ka një të vërtetë, në formën e një rregulli, nostalgjia në art është disi e lodhshme. Është një lloj sajimi që i bën njerëzit ta afrohen te arti i autorit më shumë seç duhet, kjo sepse të duket se është i prekshëm dhe i qasshëm për të gjithë e nuk mund të jetë kritik. “Nostalgjia është një patericë intelektuale dhe estetike që pengon artefaktet kulturore të pasqyrojnë epokat e tyre”, shkruan një publicist i artit Dan Duray.

“Rrugica ime dhe Tirana”, albumi me kujtimet e një rrugice që del tek Rruga e Kavajës e që tashmë me ndryshimet e mëdha është thjesht rrugina me ndërtimet e reja dhe me pak ato të vjetra, e ka grishur “Stefos” të ngrejë më shumë se një metaforë të kujtesës urbane, ku përmblidhet një komunitet që me të gjitha elementët etnografikë, antropologjikë, urbanë pothuaj rrëfen dhe dokumenton jetën e një qyteti të tërë.

I bindur për grackat e nostalgjisë, Stefan Taçi, i njohur me emrin e artit Stefos, e ka mbajtur larg dhe ka ndërtuar një muze virtual të kujtesës, jo thjesht për nostalgjinë, por për dashurinë e jetës së pastër dhe mbi të gjitha i ka blatuar Tiranës, kushtesën e tij. Në fakt, si pak të tjerë, e ka bërë këtë për Tiranën vazhdimisht. Ndërkohë që bashkëpunimi i tij me Shtëpinë Botuese “Papirus” dhe Delta print Studio ka qenë i arrirë dhe sa i përket grafikës.

Në një serenitet gati parajsor, personazhet e tij lëvizin të patrazuar dhe bëjnë jetën në një lidhje të patrazuar. Përshembull ne një nga pikturat e hershme, një grua me veshjen tradicionale të një të moshuare të Jugut po shëtit mbesën; tre djem të zhveshur dhe me top futbolli po piketojnë një objekt; dikush vjen nga puna i patrazuar; dy gra po largohen dhe të gjithë bashkë japin një mizanskenë të viteve ’70 me një kujtesë gati perfekte. Piktura “Rrugica ime në një ditë pranvere” (punë në vaj mbi fibër), që po i referohemi, thotë me shumë se një fabul dhe është e krijuar nga një adoleshent asokohe, autori ynë “Stefos”.

Por i gjithë albumi me një layout të kujdesshëm dhe i konceptuar cilësisht nga ana grafike, përmban skica, fabula, punë të paekspozuara, punë skulpturore, familjarë të afërt e miq, foto objektesh të vjetra familjare, autoportrete dhe detaje, të punuar që nga lapsi, akuareli, stilolapsi, akuareli, pasteli, tushi, vaji, të cilat sëbashku përshfaqin kujtesën e një kohe që jeton me inerci dhe në ditët tona dhe më shumë se kaq na tregojnë rëndësinë dhe peshën e veprës artistike në ndihmë të saj.

E veçanta e Stefan Taçit është se punon brenda një sistematike dhe i mirë orientuar me idetë e tij. Në çdo aktivitet ku merr pjesë, veç “Nëntorit” ku ai është një nga tre bashkëthemeluesit, ka dimension të qartë. Zgjedh me kujdes një tematikë të caktuar konform kohës dhe jep mesazhe me qartësinë e tij të kulturës por edhe me disgresionin e pastër të mendimit. Mesazhet e tij janë jo thjesht provë e bashkëkohësisë dhe mënyrës sesi ai jep mesazhin por edhe qëndrimit të tij. Falë njohjes së pastër të kompozimit, delikatesës së përdorimit të ngjyrës me një lirizëm të ndjerë, ai zbërthen tema jo pak herë me risi kompozimesh e formash. Çdo ekspozitë që ka bërë personalisht por edhe në ekspozitat e përbashkëta ka treguar se di të përmbajë një vetë-kurim të idesë për të dhënë mesazhe dhe për ta treguar se është realisht i angazhuar dhe jo qytetar-artist pasiv. Jo më kot, punët e tij janë të vlerësuara, por edhe komisionimet që ka marrë për punë skulpturore kanë përshfaqur një artist shumë të veçantë, me të cilat ka përjetësuar figura të njohura.

Nuk ka zgjedhur kurrë të bëjë zhurmuesin dhe të ankohet dhe kjo është një vlerë e shtuar për “Stefos”, që në këtë periudhë të karrierës së tij vazhdon të përcjellë mesazhe dhe një art pikturik me kërkesa të larta estetike dhe sidomos ideore.

Për nostalgjinë

Në teorinë e psikologjisë mëtohet se ekzistojnë dy lloje të nostalgjisë: nostalgjia reflektuese dhe nostalgjia restauruese. Referuar literaturës: “[Nostalgjia reflektuese] pranon faktin se e kaluara është, në fakt, e kaluar, dhe në vend që të përpiqet të rikrijojë një përvojë të veçantë të kaluar, shijon emocionet e ngjallura nga kujtesa e saj”. Nga ana tjetër, nostalgjia restauruese “romantizon “ditët e mira” në kontrast të plotë me realitetin aktual të ashpër dhe dëshirën për një kohë më të thjeshtë që mund të mos ketë ekzistuar në të vërtetë në formën e saj të idealizuar në radhë të parë. Kjo lloj nostalgjie shfaqet shumë në sferën politike.

Dhe sipas profesorit Hal McDonald, “Nostalgjia restauruese, që përfshin një dëshirë për të ‘rindërtuar shtëpinë e humbur’, e sheh të kaluarën me një sy drejt rikrijimit të saj – një dëshirë për të rijetuar ato momente të veçanta. Është ajo që na shtyn të kërkojmë të thërrasim shpesh kujtimet e vjetra apo t’i gëzohesh kujtimeve të vjetra.

“Stefos” i përshfaq të dyja llojet e nostalgjisë në këtë rast me shumë cilësi dhe i shkrin në funksion të idesë së vet për të sjellë një histori Tirane të gati gjysmëshekullit të fundit me nostalgjinë e syve të vet, përditmërinë e çdo kohe, reflektimin, lidhjen sociale dhe punët, me romantizmin e etydeve, pikturat e ndryshme,  eksperimentet e tij përgjatë të gjithë kësaj kohe.

Jo më kot, “Rrugica ime dhe Tirana” është një homazh i bukur për Tiranën tonë, mes kujtesës, dashurisë dhe besimit të qytetarëve të saj për të mos e braktisur kurrë. Veçse “Stefos” e ngriti në art. /gazetafjala

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN