MENU
klinika

Intervista e kreut të FSHF-së për Inter

Duka: Asllani, një ambasador i futbollit shqiptar

01.11.2022 - 18:06

Në një intervistë të dhënë për “FcInterNews”, kreu i FSHF-së, Armand Duka, ka folur për mesfushorin shqiptar Kristjan Asllani, si dhe shanset e tij si zikaltër dhe si e sheh të ardhmen e futbollistit të talentuar.

Ju e njihni Asllanin prej shumë kohësh. Çfarë personi ishte Kristjan?

Unë e njoh nga kombëtaret tona, në të cilat bën pjesë prej tre vitesh, fillimisht në U-21 dhe tani në Kombëtaren A. Bëhet fjalë për një djalë gjithmonë me buzëqeshjen në fytyrë, të përulur dhe me besim në vetvete. Ai karakterizohet nga një qetësi dhe një optimizëm që e transmeton sapo e takon.

Tani luan tek Inter, por nuk duket se i ka hipur vetja në qejf…

Për moshën e tij, të shkojë në një klub si Inter, nuk është aspak e lehtë. Nuk është e thjeshtë të mbash ekuilibrin, por unë mendoj se Kristjan do ia dalë. Dhe do të gjejë pikërisht atë ekuilibrin perfekt të atij djalit që kemi parë të dalë nga të rinjtë e më pas te skuadra e parë e Empolit. Ai është i ndërgjegjshëm për cilësitë që ka. Karakteristikat e tij janë të jashtëzakonshme. Dhe unë jam i bindur që nuk do t’i hipë kurrë vetja në qejf.

E mendonit që Asllani do të mbërrinte kaq i ri tek Inter?

Cilësitë e tij shiheshin dhe ishte e qartë që herët apo vonë do të bëhej një transferim i rëndësishëm. Për moshën e tij ndoshta ishte pak herët, por klubet e mëdha sot janë ‘agresive’ dhe nuk e lënë t’u ikë mundësia që të arrijnë te talente si Asllani. Tani ai është një ambasador i futbollit shqiptar.

Çfarë mund të na tregoni për këtë eksperiencë të tijën në Milano?

E ka thënë publikisht që është shumë i lumtur. Interi është klubi për të cilin ai ka bërë gjithmonë tifo që fëmijë. Milano është një qytet i madh dhe shpresoj që të mos shpërqendrohet (qesh).

Për rritjen e tij, në janar është më mirë të qëndrojë tek Inter apo të shkojë të luajë në ndonjë vend në huazim?

Unë shpresoj shumë që Kristjan deri në janar të konkurrojë me mesfushorët e tjerë për të pasur më shumë hapësirë, duke luajtur shanset e tij. Siç e thashë më parë, mendoj dhe jam i bindur që me cilësitë që ka, mund të bëhet një futbollist i rëndësishëm për futbollin botëror.

Ashtu si e shoh unë, mund të jetë lideri i mesfushës zikaltër, ka të gjitha cilësitë për të arritur majat, është i ri, ka aftësi teknike të mëdha, grintën e duhur dhe një karakter të fortë. Falë këtij karakteri mund të shkojë shumë lart dhe të bëjë gjëra të mëdha. Por nëse nuk do të ketë shumë hapësirë, ndoshta është më mirë të shkojë në huazim në ndonjë skuadër tjetër për t’u rritur dhe për të krijuar eksperiencë.

Çfarë menduat kur Kristjan kishte kundër Barcelonës mundësinë për të shënuar një gol historik?

Do të ishte një gol që do ta kishte ndihmuar shumë në rrugëtimin e tij zikaltër në këtë vit, ndoshta edhe për të gjetur më shumë hapësirë. Ai gol do t’i jepte më shumë bindje në aftësitë e tij. Por nuk duhet të mendojë shumë për atë moment.

Ai ka një karrierë të gjatë përpara dhe do të ketë mundësi të tjera për të shënuar gola të rëndësishëm kundër Barcelonës, Real Madrid, apo kundër Italisë me fanellën e Shqipërisë.

Mendoni se mund të mësojë nga Brozovic dhe të bëhet së shpejti një pikë fikse te Inter?

Çdo ditë mund të mësojë e të rritet. Të mësosh nga një lojtar si Brozovic është një fat i madh pasi jemi të gjithë dakord rreth faktit se kroati është një nga mesfushorët më të rëndësishëm të futbollit botëror, mes më të mirëve në qarkullim.

Ai ka luajtur edhe një finale të Kupës së Botës dhe eksperienca e tij ndërkombëtare është shumë e madhe. Ai në këto muaj do të ketë mundësinë të mësojë shumë nga Brozovic, por edhe nga emrat e tjerë të rëndësishëm të cilët luajnë tani tek Inter. Unë e shoh për shumë vite si një pikë fikse e mesfushës zikaltër.

Po flasim për një kampion të mundshëm? Njërin që në të ardhmen mund të bëjë historinë e futbollit me klubin e tij?

Ai është në një moshë delikate. Duhet të ecë përpara kështu. Pa i hipur vetja në qejf. Tani për të është gjithçka e rëndësishme: skuadra, miqtë, trajneri, familja dhe e dashura e tij gjithashtu.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN